Shkruan: Muhamet Hamiti
– Përvijohet këtu politika e SHBA-ve për Kosovën nga fundi i shekullit të kaluar, që nisi me ‘Paralajmërimin e Krishtlindjeve’ të vitit 1992 ndaj Serbisë. Millosheviqit ia kishte tërhequr vërejtjen Presidenti George Bush – Plaku, që ndërroi jetë dje në moshën 94 vjeçare. Kosova nderon burrështetasin amerikan, të cilit do t’i jetë përjetë mirënjohës që i doli zot popullit tonë në kohët më të vështira. “Në rast të konlifktit në Kosovë shkaktuar nga veprime të Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”, kishte shkruar Presidenti amerikan George Bush (i njohur më vonë si Bushi Plak) në një letër që i dërgoi Presidentit të atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, më 25 dhjetor 1992. E njohur në zhargonin diplomatik si “Paralajmërimi i Krishtlindjeve” i Bushit, ky përbënte vërejtje me paralajmërim ndaj ndërhyrjes serbe me forcë kundër Kosovës, e cila u bë shtyllë e politikës amerikane, të cilës iu përmbajtën si republikanët nën drejtimin e të dy presidentëve Bush (babë e bir), ashtu edhe demokratët nën udhëheqjen e Clintonit, që shërbeu President në dy mandate.
Sekretari i Jashtëm amerikan Warren Christopher (Uoren Kristofer) riafirmoi qëndrimin amerikan, tash si zyrtar i lartë i Presidentit Clinton, pa u bërë muaji që kur ky i dyti mori detyrën e Presidentit. Në një deklararatë më 13 shkurt 1993, Christopher thoshte: “Mbetemi të gatshëm të reagojmë kundër serbëve në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprime të Serbisë”.
“Politika amerikane nuk ka ndërruar”, ka thënë Robert Gelbard, përfaqësuesi i SHBA-ve për Ballkanin, në një deklaratë më 4 mars 1998, kur u pyet nëse “Paralajmërimi i Krishtlindjeve” i Bushit ishte ende në fuqi. Gelbardi, që më vonë luajti rol të keq në Kosovë, për çka u largua nga detyra, e thoshte këtë në mandatin e dytë të Clintonit, në kohën kur Serbia kishte nisur konfliktin në Kosovë. (Për kujtesë, të nesërmen, më 5 mars 1998, forcat serbe sulmuan Jasharajt në Prekaz me një kombinim mjetesh e metodash luftarake policore e ushtarake. S’bëhej fjalë për konflikt të brendshëm me ‘terroristët’, siç e kishte quajtur UÇK-në Gelbardi, një cilësim që me gjasë e kishte trimëruar Millosheviqin.)
Më 8 mars 1998, kur ploja e Millosheviqit në Prekaz u bë e njohur faqe bote, Sekretarja Amerikane e Shtetit Madeleine Albright (Ollbrajt) deklaronte në Bon të Gjermanisë: “Koha për t’u dhënë fund vrasjeve është tani, para se të përhapen. Mënyra për ta bërë këtë është duke ndërmarrë veprime të menjëhershme kundër regjimit në Beograd”.
Nën udhëheqjen e SHBA-ve, NATO-ja do të niste fushatën ushtarake kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në vetë Serbinë një vit më vonë, pas konferencës së Rambujesë.
“Mendoj se pragu është kapërcyer… nuk besoj se duhet të lejojmë që të maskarohen me mijëra njerëz të tjerë dhe të varrosen në fusha futbolli para se të bëjmë diçka”, deklaroi Presidenti Clinton më 19 mars 1999 në Uashtington, mbasi që bisedat paqësore në Rambuje kishin mbaruar; shqiptarët e Kosovës kishin nënshkruar marrëveshjen kalimtare për Kosovën, ndërsa Serbia e Millosheviqit jo. Pesë ditë më vonë, teksa jepte lajmin për nisjen e fushatës së sulmeve ajrore kundër Serbisë më 24 mars 1999, Clintoni deklaroi se nuk mëtonte të vendoste trupat amerikane në Kosovë për luftë tokësore. (Mbas zgjatjes së fushatës ajrore, Kryeministri britanik Tony Blair do të përpiqej ta bindte Clinton-in që duhej të mendonin për ndërhyrje me trupa tokësore në Kosovë, siç është dëshmuar më vonë.)
Mbas 78 ditësh, fushata e NATO-s u krye. Kosova doli e lirë, pas lufte, sakrificash e kalvari pothuaj biblik të shqiptarëve. Serbia e Millosheviqit u gjunjëzua.
Kjo përmbledhje dëshmon rëndësinë e paralajmërimit profetik të George Bushit Plak në ditën e Krishtlindjeve të vitit 1992, por edhe konsistencën e politikës amerikane që çoi në fund në përkrahjen e pavarësisë së Kosovës. Paralajmërimin për shpalljen e pavarësisë do ta bënte më 10 qershor 2007 në Tiranë Presidenti George Bush i Riu.
Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova e ka dekoruar Presidentin George Bush – Plakun me “Medaljen e Artë të Lirisë”, më 12 qershor 2004, në pesëvjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s/KFOR-it në Kosovë. Presidenti aktual Hashim Thaçi dekoroi këto ditë Presidentin George Bush të Riun me “Urdhrin e Pavarësisë”.
Presidenti George Bush Plaku – Presidenti i 41-të i SHBA-ve – ka ndërruar jetë (par)dje, më 30 nëntor 2018, në moshën 94 vjeçare.
Kosova do t’u jetë mirënjohëse përjetë Bushit të parë dhe Bushit të dytë për përkrahjen për lirinë, demokracinë e mëvetësinë e vendit tonë. Poaq sa Bill Clinton-it, Presidentit demokrat, që udhëhoqi aleancën perëndimore në përkrahje të Kosovës në kohën kur populli ynë ishte në zgrip të ekzistencës.
Për fund, në këtë kujtesë, le të japim tekstin e “Christmas Warning”-ut të Bushit në origjinalin anglisht:
”In the event of conflict in Kosovo caused by Serbian action, the United States will be prepared to employ military force against the Serbians in Kosovo and in Serbia proper,” President George Bush said in a letter to Slobodan Milosevic, then Serbian President, on Dec. 25, 1992.
Autori është mёsimdhёnёs në Universitetin e Prishtinёs, dhe ishte Ambasadori i parё i Republikёs sё Kosovës në Britani tё Madhe. Ka qenë edhe pjesë e Kabinetit të Presidentit tё parё tё Republikёs sё Kosovёs, Ibrahim Rugova.