Paralajmërime të shpeshtuara nga SHBA-ja e Rusia për “luftë rreth Kosovës”

SHBA-ja dhe Rusia, edhe pse me qëndrime të kundërta, në një parashikim pajtohen: Në Ballkan është e mundshme lufta dhe ajo për shkak të çështjes së Kosovës, shkruan gazeta e Beogradit ‘kurir’.

Sipas kësaj gazete, ashpërsimi i krizës në Kosovë, siç pohohet, shpie drejt përshkallëzimit të dhunës dhe konflikteve të armatosura. Vërejtjet e Donald Trumpit dhe të Vladimir Putin duhet të merren seriozisht e që të evitohet skenari i përgjakshëm në Ballkan, më saktë konflikti i serbëve dhe i shqiptarëve, është me rëndësi që Serbia e Kosova të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për nyjën kosovare.

Një ditë pas publikimit të raportit të CIA-s në të cilin theksohet se në vitin 2019 janë të mundshme konfliktet ushtarake, një vërejtje e ngjashme ka ardhur edhe nga Rusia.

Përfaqësues i përhershëm i Rusisë në OSBE Aleksandar Lukasheviq ka deklaruar se Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë pikë destabiliteti.

Analisti politik Dushan Janjiq kërkon që të ulen tensionet dhe të fillojnë bisedimet:

“Nuk ka hapësirë për lojëra. Është me rëndësi që Beogradi e Prishtina, nëse duan paqe, të merren vesh për zgjidhjen e problemit të Kosovës me ndërmjetësim të SHBA-së e Rusisë, eventualisht të Gjermanisë si përfaqësuese e BE-së. Brukseli ka dëshmuar se nuk është i zoti që i vetëm ta zgjidhë krizën e Kosovës”, ka thënë Janjiq për mediumin ‘kurir’. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment