Një eksperiment në Gjermani do t’u japë 250 marrësve të asistencës sociale para pa kushte. A do të jetë ky hapi i parë drejt të ardhurave universale bazë (AUB)?
Në Gjermani ka nisur një eksperiment me 250 marrës të asistencës sociale të përzgjedhur rastësisht. Ata do të vazhdojnë ta marrin asistencën edhe nëse i shkelin kushtet e vëna nga shteti, shkruan sot Deutsche Welle.
Zakonisht marrësit e asistencës sociale në Gjermani duhet të përmbushin disa kushte për të përfituar nga asistenca sociale. Ata duhet të paraqiten rregullisht te Agjencia e Punës (Jobcenter) dhe të dëshmojnë se po kërkojnë punë dhe të aplikojnë për vendet e punës që i sugjeron agjencia. Nëse nuk e bëjnë këtë, atyre mund t’u shkurtohet asistenca, pra, të sanksionohen.
Por 250 të përzgjedhurit nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen më këtyre rregullave, se paku per tre vjet. Aktivistët e organizatës “Sanktionsfrei” (Pa sanksione), do t’ua rimbursojnë atyre çdo sanksion që u imponohet. Ky eksperiment do të provohet te 250 përfituesit e parë, të cilëve do t’u garantohet një e ardhur bazike prej 416 euro në muaj.
Pjesëmarrësit do të plotësojnë formularë në të cilën do të dokumentojnë efektet që do të ketë ky status i ri i tyre. Një grup tjetër prej 250 vetësh që merr asistencë sociale do të shërbejë si grup kontrolli për këtë eksperiment. Ata do të mbushin të njëjtat formularë, por do të vazhdojnë të trajtohen si të tjerët, pra, nëse nuk shkojnë në takime, ose nuk kërkojnë punë, do të sanksionohen.
Ky eksperiment quhet “Hartz Plus” dhe nuk bëhet në kuadër të lëvizjes për të Ardhurën Universale Bazë (AUB). Ai financohet nga një organizatë private dhe nuk përkrahet nga qeveria gjermane. Por mesazhi është i njëjtë në të dyja rastet: të ardhura të pakushtëzuara.
Në vitin 2016, Zvicra zhvilloi një referendum për t’u ofruar shtetasve të vet të ardhuren universale bazike (AUB ). Referendumi sigurisht dështoi. Qeveria finlandeze gjithashtu bëri një eksperiment dy vjeçar (2017-2018), duke u siguruar 2 000 shtetasve të papunë një të ardhur mujore të pakushtëzuar.
Ideja mbështetet nga shumë politikanë të majtë. Edhe Hillary Clinton, e cila nuk mund të thuhet se është një socialiste e mirëfilltë, premtoi gjatë fushatës zgjedhore si kandidate për presidente të SHBA-së, në vitin 2016, se do t’i jepte një platformë serioze nocionit të AUB-së. /©Kabllogrami/
Artikullin e plotë të DW mund ta lexoni këtu