Pa paralajmërim, Thaçi takoi në Berlin ambasadorin amerikan – i premtoi heqjen e taksës ndaj Serbisë

Nën presionin e administratës Trump dhe me thirrjen e presidentit Trump për një ceremoni paqeje në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Kosovës është zotuar të marrë një hap të madh drejt zgjidhjes së problemit në rritje ndaj rivalit ballkanik, Serbisë, shkruan The Washington Post.

Trumpi u ka bërë një apel të pazakonshëm të drejtpërdrejtë liderëve serbë dhe atyre kosovarë, derisa dhjetë vitet e armiqësisë rrezikojnë të kthehen në konflikt të armatosur dhe teksa administrata e tij është duke e përdorur një kanal të pazbuluar më parë për uljen e tensioneve me Serbinë, e mbështetur prej Rusisë, shkruan The Washington Post, pёrcjell koha.net.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi bëri një udhëtim ta paraportuar diplomatik në Berlin muajin e kaluar, ku u takua me ambasadorin e SHBA-së, Richard Grenell, një person i afërt me Trumpin. Thaçi u zotua më pas se do të kthente kursin për tarifat e vendosura ndaj mallrave serbe.

Në një përgjigje me shkrim për The Washington Post, të premten, Thaçi tha se është “i gatshëm të shqyrtojë heqjen e tarifave nëse një rrugë e qartë për të vazhduar drejt arritjes së një Marrëveshjeje përfundimtare të Paqes me Serbinë është e hapur për Kosovën”.

Tarifat e vendosura muajin e kaluar – një veprim që ka zemëruar Serbinë dhe Rusinë dhe ka alarmuar Bashkimin Evropian – u shoqërua me krijimin e ushtrisë, duke bërë një shkelje të dukshme të marrëveshjes së saj me NATO-n, e cila mban një forcë të vogël mbrojtëse në Kosovë një dekadë pas ndarjes nga Serbia dhe formimit si një vend sovran.

Serbia kurrë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kryeqyteti i saj, Beogradi, ka paralajmëruar për një ndërhyrje të armatosur mbi mosmarrëveshjet e fundit. Rusia e konsideron si jetik rolin që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur në krijimin e Kosovës, duke e konsideruar si ndërhyrje të paligjshme në pragun e saj.

“Po, tarifat janë një masë e jashtëzakonshme”, tha Thaçi. “Gatishmëria nga ana jonë për ta larguar atë ekziston. Kjo bëhet një zgjidhje e fortë nëse ne ndjejmë mbështetje dhe udhëzime nga partnerët tanë për këtë”, ka thënë Thaçi.

Pikëpamja e Thaçit, e cila nuk është raportuar më parë, vjen në një kohë rreziku politik dhe kur zërat nacionalistë janë zgjuar. Ai nuk mund t’i ndryshojë tarifat e vendosura nga Qeveria, derisa përballet me kundërshtim të brendshëm nga kryeministri i Kosovës, një rival i tij politik, përcjell Koha.net. Por Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë veprimin e tij si një hap të parë drejt ndalimit të një përshkallëzimi gjatë dy muajve të fundit dhe potencialisht kthimit prapa në atë që duket të jetë përpjekja më e frytshme përgjatë një dekade drejt një marrëveshje përfundimtare të paqes.

“Miqtë e Kosovës dhe unë ndajmë një kuptim të qartë dhe të gjallë për sfidën e madhe që kemi para nesh në drejtim të bërjes së asaj që ne jemi të thirrur të bëjmë nga ndërgjegjja jonë dhe nga detyrimi ynë historik – për ta bërë paqen të mundur dhe të qëndrueshme”, tha Thaçi.

Trump dërgoi letra personale drejtuesve të të dy vendeve muajin e kaluar, duke u kërkuar atyre të kthehen në bisedimet për paqe dhe duke ofruar mundësinë e një ftese të përbashkët në Shtëpinë e Bardhë. Edhe pse Shtëpia e Bardhë nuk e ka bërë publike këtë ftesë, si Thaçi ashtu edhe Vuçiqi kanë plasuar në internet kopjet e letrave. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment