Opozita në Serbi bojkoton Kuvendin

Partitë opozitare serbe filluan të hënën të bojkotojnë seancat parlamentare, si protestë ndaj asaj që ato e shohin si qeverisje gjithnjë e më autoritare të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe partisë së tij në pushtet, Partia Progresive Serbe.

Partitë e opozitës dhe mbështetësit e tyre akuzojnë zotin Vuçiq dhe SNS se mbysin lirinë e medias dhe ndërmarrin sulme ndaj kundërshtarëve politikë apo gazetarëve në Serbi, vend që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, raporton “Zëri i Amerikës”.

Presidenti Vuçiq dhe partia e tij i mohojnë akuzat. Bojkoti vjen në klimën e protestave të përjavshme me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve, që filluan në dhjetor dhe janë përhapur nga Beogradi në shumë qytete të tjera. Protestuesit dhe opozita po kërkojnë gjithashtu dorëheqjen e zotit Vuçiq dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në një deklaratë, partitë e opozitës kanë thënë se ligjvënësit e tyre do të bojkotojnë seancat plenare, por do të qëndrojnë brenda ndërtesës së parlamentit, ku do të vazhdonin të mbajnë konferenca për shtyp dhe informime deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Presidenti Vuçiq, një nacionalist i njohur gjatë luftërave ballkanike të viteve 90, i cili tani është për lidhje më të ngushta me Perëndimin, ka thënë se nuk do të përkulet ndaj kërkesave të protestuesve.

Vendimi i opozitës për bojkot nuk pritet të ndalë punën e parlamentit, ku SNS dhe aleati i saj, Partia Socialiste së cilës i prinë “slloba i vockël” – krimineli Ivica Daçiq, kanë 160 nga të 250 vendet, një shumicë komode. Por bojkoti mund të minojë besueshmërinë e koalicionit qeverisës.

Sipas sondazheve të opinionit, Vuçiq dhe SNS gëzojnë mbështetjen e rreth 50 për qind të votuesve, ndërsa opozita mund të sigurojë gjithsej rreth 15 për qind. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment