Notarët kosovarë janë duke u paraqitur çdo ditë në garat e Botërorit, ndërsa rezultatet e tyre janë larg atyre që kërkohen për kalim në gjysmëfinale. Sidoqoftë, përmirësimi i rekordeve personale dhe të vendit, po vlerësohet sukses i madh i notarëve të rinj kosovarë që po marrin pjesë në Botëror, derisa eksperiencat e reja duke u ballafaquar me notarë kulmorë janë të mirëseardhura për ngritjen e nivelit dhe perforamacës së tyre, shkruan Kabllogrami
Eda Zeqiri ishte notarja e vetme e Kosovës që garoi të premten, në ditën e katërt të Kampionatit Botëror të Notit në pishinë të shkurtër (25 m) që po mbahet në Hangzhou të Kinës.
Eda Zeqiri garoi në disiplinën 50 metra shpinë, ndërsa kishte kohë prej 31.55 sekonda. Kjo kohë i mjaftoi që në kualifikime të renditet e 38-ta prej 52 notareve që përfunduan garën. 26.13 sekonda ishte koha më e mirë në kualifikime, që e arriti Etiene Medeiros e Brazilit.
Të shtunën (sot) do të garojnë Fjorda Shabani në disiplinën 50 metra krol dhe Dion Kadriu në 100 metra krol. /©Kabllogrami/