Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë i ka dorëzuar Hungarisë notë proteste lidhur me ikjen e Gruevskit dhe kërkesës së tij për azil në Hungari, duke kërkuar kthimin e menjëhershëm e ish-kryeministrit, njofton Kabllogrami
Nё takimin mes ambasadorit të Hungarisë në Maqedoni Laslo Duks dhe sekretarit shtetëror në MPJ Viktor Dimovski, ky i fundit është shprehur optimist se Hungaria për këtë rast do të veprojë në frymën e marrëdhënieve të mira bilaterale si dhe vlerave evropiane. Ai shpreson se pa vonesa, Hungaria do ta hedh poshtë kërkesën e Gruevskit për marrjen e statusit të azilantit.
Politikani 48 vjeçar u largua nga Maqedonia dhe udhëtoi për në kryeqytetin hungarez javën e kaluar pasi policia u përpoq ta arrestonte atë për të vuajtur një dënim dyvjeçar për korrupsion.
Gruevski është një aleat i ngushtë politik i kryeministrit të krahut të djathtë Viktor Orban, por qeveria hungareze thotë se nuk ka ndihmuar në udhëtimin e tij. /©kabllogrami/