Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse prishet koalicioni qeverisës dhe shpallen zgjedhjet, taksa ndaj mallrave serbe do të mbesë gjithsesi deri në verë.
Pas mbledhjes së qeverisë, i pyetur lidhur me lëkundjet e fundit të koalicionit qeverisës dhe mundësisë së shkuarjes në zgjedhje ai ka thënë se nuk do ta heqë taksën dhe si rrjedhojë, për shkak të zgjedhjeve dhe periudhës që nevojitet për konstituim të Kuvendit e bërjes së Qeverisë së re, taksa do të mbesë deri në verë.
“Sa i përket prishjes së koalicionit dhe zgjedhjet potenciale i bie që taksa mbetet deri në qershor gjithqysh. 45 ditë deri të mbahen zgjedhjet, e 30 tjera deri të mblidhet parlamenti, e do tjera deri të bëhet qeveria. Pra hyjmë në verë me taksë. Ka për të na zënë qershori gjithqysh. Hyjmë në verë me taksë, gjithsesi”, ka thënë ai.
Haradinaj i është drejtuar edhe LDK-së duke thënë se “nëse e dobësojmë taksën siç thotë LDK-ja e dashur dhe e mençur siç po paraqitet, atëherë le të bëhen gati të japin territor e asociacion me kompetenca ekzekutive”. /©Kabllogrami/