Nepotizmi – si rrjetë penguese për një shoqëri të lirë!

Shkruan: Avni Azizi

– Mungesa e mirësjelljes dhe ndershmërisë dhe keqpërdorimi i pozitës zyrtare për të fituar në mënyrë të pandershme, si dhe shpërdorimi i detyrave për përfitime personale janë korrupsioni i një shoqërie. Dukuritë negative të cilat shfaqen përmes korrupsionit reduktojnë pasurinë e një vendi dhe ulin standardin e jetesës së tij.

– Në proceset e luftimit të korrupsionit, të shumë shoqërive por, edhe të shoqërisë sonë, shpesh na ka rënë të dëgjojmë edhe për nepotizmin dhe lidhjet e ngushta familjare, ku punësimet e të afërmve bëhen pa përfillur kritere të domosdoshme… Andaj, në vijim do fokusohemi në njërën nga dukurit korruptuese siç është nepotizmi.

Nepotizmi është një ndër dukuritë negative të shoqërisë. Një ndër tjerrjet e shtetit dhe shoqërisë e cila vjen nga sëmundja e korrupsionit dhe një lëngatë e vendeve ku mbretëron familjarizimi, burokracia dhe totalitarizmi. Para se të fillojmë dritësimin e kësaj dukurie, domosdoshmërish duhet të ndalemi tek origjina e fjalës nepotizëm. Ky term vjen nga latinishtja “nepos” që do thotë “Nip” si dhe kemi po ashtu edhe një supozim tjetër të këtij termi që thuhet se vjen nga perandori romak Nepos Julius nga koha e republikës romake.

Ekzistimi dhe dominimi i vlerave që lidhen me kapacitetet individuale, familjare e fisnore përgjithësisht janë negative dhe të dëmshme për një shoqëri dhe ato konsiderohen si shtylla tipike të korrupsionit.

Nepotizmi është dukuri kur njerëzit me të cilët udhëheqin pushtetin, punësojnë familjet dhe miqtë e tyre pa varësisht përshtatshmërisë profesionale apo meritave. Me këtë rast besnikëria ndaj shoqërisë zbret në nivel rrethi dhe familjeje. Njëra nga arsyet pse nepotizmi është shfaqje e pamoralshme dhe e pa ligjshme, është ajo se, kjo kreaturë pre supozon lidhjet e fshehta pushtetare e familjare nga ana e zyrtarëve publik.

Zhgënjimet nga nepotizmi

Duhet përmendur se, nëpër disa shtete dukuria e nepotizmit është e ndaluar zyrtarisht. P.sh në Shtetet e Bashkuara, inspektori tatimor që kontrollon ndërmarrjen e ish shokut të tij të klasës është i detyruar ta njoftoj menaxhmentin për marrëdhëniet e tija miqësore me drejtuesin në fjalë.

Favorizimet qoftë nga ana e gjakut apo e miqve dhe të afërmeve me të cilët rrethohemi shkakton mosbesim dhe dëmshmëri në progresin e zhvillimit të një shoqërie. Prirjet e tilla zhvendosin përshtatshmërinë si kriter suprem, në mos pranim për zgjedhje nëpër pozita të ndryshme shoqërore.

Kjo dukuri tek shumica e pa privilegjuar ka shkaktuar pakënaqësi, skepsë, hamendje, pesimizëm dhe defetizëm të përgjithshëm. Dukuria e nepotizmit dhe klientalizmit shpesh provokon edhe largim masiv të specialistëve nga vendi. Ata duke mos i parë shanset e promovimit dhe zhvillimit të karrierёs sё tyre si profesionist, largohen duke parё se janё tё padobishёm pёr t’i kontribuar shoqёrisё sё tillё.

Nuk ka dyshime se familja duhet të shihet si një nga vlerat tona më të larta. Ajo duhet të na frymëzoi në kohëra të mira e të këqija por, vlerën e saj nuk duhet ekzagjeruar. Këto ekzagjerime janë familjarizim dhe shprehin mosbesime tek rrethi.

Megjithatë, duke analizuar marrëdhëniet e ngushta ndërmjet nepotizmit dhe familjes, ajo mund kuptohet vetëm kur mes tyre zhvillohet biznesi familjar, dhe në krye të këtij aktiviteti ndodhet si udhëheqje familja. Në këtë rast biznesi familjar mund të gjeneroj rezultate dinamike, por, gjithsesi kjo nuk duhet të kishte përmasa të shtrirjes së kufizuar të punësimit vetëm nga të afërmit, sepse me gjithë aftësitë e mundshme të drejtimit një rreth prapëseprapë mbetet i kufizuar pa fjalën e fundit të profesionalistëve të nevojshëm.

Krijimi i kushteve dhe luftimi

Njëra ndër arsyet për gjendjen tonë të tanishme, nuk është çështja e mungesës së profesionistëve, talenteve, të merituarve dhe aftësitë e tyre për të punuar dhe sakrifikuar dijen e tyre në shërbim të përgjithshëm.

Problemi i vërtetё qëndron se në vendin tonë modelet e udhëheqjes sikur janë krijuar dhe vënë në zbatim me standarde të ulëta dhe të paqëndrueshme. Me burime të shumta korrupsioni, nepotizmi, madje edhe fanatizëm të imponuar nga një oligarki bashkëpunuese financiare, ekonomike e politike. Në këtë rast nuk duhet përjashtuar as gjyqësorin, ku shpesh nuk dihet se ku vërtet fillon dhe mbaron kompetenca e tij.

Kur në një vend nuk ka ndarje të mirëfilltë të pushteteve, kur pavarësia e gjyqësorit, lë shumë për të dëshiruar, ku një pjesë e deputetëve që përfaqësojnë popullin janë vetëm dekore për lista, ku partitë politike përcaktimet e tyre programore i ndërrojnë sipas përshtatjes… Aty nuk mund të flitet për tjetër, pos totalitarizmit dhe dominime burokratike, korrupsioni dhe dështime të njëpasnjëshme.

Dukuria e familjarizimit, nepotizmit dhe klientela partiake, sot është pothuajse e shtrirë dhe shoqëron tërë administratën dhe udhëheqjet tona, duke filluar nga nivelet lokale e deri më lartë. Mjafton të bëjmë një vështrim, nëpër vite, nëpër kohë, dhe të shohim numrin dhe emrat e të angazhuarve nëpër sektorë vital të udhëheqjes.

Mjafton ti shohim të preferuarit e ambasadave, konsultave…Kushërinjtë, nipat, dajat, lidhjet familjare… Për fat të keq, dukuria negative e stërkeqët po vazhdon pareshtur. Shoqëria jonë, sikur nuk është e pjekur mjaftë në mënyrë demokratike dhe në mënyrë shpërthyese të kundërshtoj ashpër praktikat e tilla. Politikanët e dinë këtë andaj atyre u nevojitet arsyetim me vetëm një apo dy fjalë…

Për të kuptuar dhe parandaluar njërën ndër vetitë e « korrupsionit të butë » siç është edhe dukuria e nepotizmit dhe dukuri tjera si favorizimet e të njohurve, familjarizimi, rehatimet aktivistëve partiak… Shoqëria civile dhe qytetarët nuk duhet heshtur. Krijimi i stafit me persona të paaftë në pozita të udhëheqjes dhe vendimet e gabuara të menaxhimit, pa mëdyshje çojnë në një ngadalësim të ndjeshëm të zhvillimit ekonomik.

Të ndahen njëherë e mirë, marrëdhëniet e udhëheqjes nga ato të familjes, fisit, lokalitetit dhe partizanëve besnik të partisë… Të respektohen skemat ligjore ngase udhëheqjet e suksesshme përherë duhet ti binden konkurrencës së shëndetshme, ku fjala e kuadrove, profesionistëve, specialistëve dhe të merituarve të jetë vendimtare.

Mirënjohjet për shërbime që na i bëjnë të afërmit, ata me të cilët rrethohemi, mund të shpërblehen edhe në mënyra tjera dhe pa shpërdoruar detyrat zyrtare dhe udhëheqëse.

Të mos bëhemi finok, shpirtngushtë dhe të papërgjegjshëm ngase nepotizmi përherë rigjeneron korrupsion, kërcënon zhvillimin e një shoqërie dhe është gangrena e bashkëjetesës demokratike për një shoqëri të lirë. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment