Nënshkruhet protokolli për anëtarësimin e ‘Maqedonisë Veriore’ në NATO

Në selinë e NATO-s në Bruksel, sot nga ambasadorët e 29 vendeve anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, është nënshkruar Protokolli për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO. Në periudhën që vijon, ky Protokoll duhet të ratifikohet në Parlamentet e të gjitha shteteve anëtare të NATO, duke nisur nga Greqia e cila pritet ta bëjë këtë brenda një jave, bën të ditur Kabllogrami.

“Ishte rrugë e vështirë, i stërmbushur me kompromise. Një kohë të gjatë ju presim të na bashkëngjiteni. Merrni pjesë në misionet e NATO-s dhe i përmbushët reformat e nevojshme për t’u bërë anëtare e 30 e NATO-s. Pas nënshkrimit vijon procesi i ratifikimit dhe nuk kemi aspak dyshim se do të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare”, deklaroi sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Nga ana tjetër, ministri i punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, pas nënshkrimit të Protokollit në emër të shtetit që përfaqëson, deklaroi se jemi të gatshëm të ndërmarrim përgjegjësitë që na presin për anëtarësim të plotë në NATO.

“Maqedonia së shpejti do të jetë Maqedonia e Veriut, kjo është çështje ditësh. Dëshmuam se mund të zgjidhim problemet me të cilat përballemi. Kjo do të dërgojë një mesazh qetësues në rajon ku ende ka paqartësi. Ne jemi të gatshëm, ne jemi këtu, do të ndërmarrim të gjitha përgjegjësitë që na presin për anëtarësim në NATO. Shpresoj për ratifikim efikas”, tha shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov.

Greqia kishte bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO për një dekadë si pasojë e mosmarrëveshjes për emrin. Athina e konsideron emrin e ish-republikës Jugosllave si kërcënim për rajonin që quhet Maqedoni, që gjendet brenda territorit grek. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment