Në Maqedoninë Veriore shpallen zgjedhjet për president të vendit, raundi i parë më 21 prill

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi i shpalli sot zgjedhjet për president të Maqedonisë. Sipas Kushtetutës dhe afateve të parapara, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 21 prill, ndërsa i dyti më 5 maj, bën të ditur Kabllogrami.

Kandidatët duhet të paraqiten deri më 21 mars ndërsa fushata zgjedhore do të fillojë më 31 mars. Qeveria dhe opozita vazhdojnë të taktizojnë me kandidatët për president.

Kryeministri Zoran Zaev së fundi ka deklaruar se mbështet idenë për kandidat konsensual.

Varësisht se si do rrjedhin ngjarjet, mundësitë për të pasur një kandidat konsensual nga rradhët e shqiptarëve për president të Maqedonisë Veriore, mbeten të vogla, edhe për faktin se me sjelljet e tyre të dyshimta kanë komprometuar shumë interesat e shqiptarëve në Maqedoni, si dhe përçarja shqiptare e minimizon rolin e faktorit politik shqiptar në Maqedoninë Veriore.

Shtrohet pyetja, a mbet ndonjë shqiptarë në Maqedoni – vërtetë burrë e patriot në plotë kuptimin e fjalës që s’u shit te maqedonasit, turqit, serbet etj. Kjo klasë politike e shqiptarëve në Maqedoni, mbase nga të gjitha partitë shqiptare pa përjashtim – të cilët punojnë për interesa të të përmendurve (ndonëse gojën e kanë plotë me pallavra patriotike), duke punuar për interesa të huaj, vetvetiu nënkupton që po punojnë kundër interesave të popullit të vet.

Kongresi i LSDM-së është caktuar për 3 mars, ndërsa në garë për kandidat partiak të LSDM-së mbeten katër emrat për të cilët aktualisht janë duke u zhvilluar anketa të brendshme, Oliver Spasovski, Stevo Pendarovski, Nikolla Dimitrov dhe Radmilla Shekerinska.

Në rast se shumica parlamentare nuk arrin marrëveshje për kandidat të përbashkët, LSDM-ja do të garojë me kandidat partiak i cili do të mbështetet edhe nga PDSH-ja.

BDI do të garojë e vetme, kurse Besa e Bilall Kasamit insiston në kandidat të përbashkët me Aleancën për Shqiptarët, ndërsa Besa e Afrim Gashit akoma shqyrton modalitetet.

VMRO-ja opozitare para disa ditëve publikoi emrat e kandidatëve për president, në listë janë emrat e: Nikita Shektukovski, Gjorgi Manaskov, Vasko Kostov, Vllatko Gjorçev, Gordana Siljanovska-Davçeva, Filip Petrovski, Ilija Dimovski, Goran Angellov dhe Sasho Kutlleshoski.

Nëntë kandidatët e paraqitur në konkursin e VMRO-DPMNE-së për president, kanë filluar me promovimin e programeve të tyre para qytetarëve. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment