Në derbi, Prishtina e Feronikeli ndahen baraz

Prishtina dhe Feronikeli barazuan 1:1 në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në një ndeshje që sapo përfundoi, e vlefshme për javën e 21-të të superligës kosovare. Kështu Feronikeli e ruan epërsinë prej pesë pikëve në krye të tabelës kundër Prishtinës –ndjekësit më serioz në garën për titull kampioni, shkruan Kabllogrami.

Edhe, fitorja e Llapit kundër Gjilanit do të thotë se skuadra llapjane mbetet në garë për titull me Feronikelin dhe Prishtinën.

Prishtina shënoi në rastin e dytë, herët në fillim të ndeshjes. Leotrim Bekteshi shënoi gol të bukur me kokë duke i dhënë epërsinë vendasve në minutën e 17-të.

Kështu, pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të skuadrës nga kryeqyteti.

Por, gjërat u vështirësuan për skuadrën e kryeqytetit, pasi Lorik Boshnjaku u përjashtua nga ndeshja pas kartonit të dytë të verdhë, pas rreth një ore lojë.

Vizitorët nga Drenasi e shfrytëzuan epërsinë e një lojtari më shumë në fushë dhe e barazuan rezultatin në 1:1 vetëm 15 minuta më vonë.

Kështu, Mendurim Hoti realizoi duke shpëtuar Feronikelin nga humbja kundër Prishtinës, në derbin që mbase përcakton shumë edhe në garën për titull, në Superligën e Kosovës, sot në kryeqytet.

Feronikeli vijon të mbetet lider me 49 pikë në Ipko Superligë, pesë më shumë se Llapi e Prishtina në vendin e dytë dhe të tretë. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment