Nёnkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj: LDK të këndellet nga gjumi i thellë, po i ngjan VV-së

Nёnkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj i është përgjigjur sulmeve të Isa Mustafës së LDK-së që sot bëri kundër PDK-së, me ç’rast e kishte cilësuar kryetarin e PDK-së provokator sikurse Serbia, transmeton Kabllogrami.

Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook tha se asnjëherë nuk është vonë për LDK-në që ta japë kontributin e saj për përmbylljen e shtetndërtimit të Kosovës.

Ai tha se LDK duhet të këndellet nga gjumi i thellë në të cilin ka rënë dhe të fillojë të ketë vendime të prera për çështjet e rëndësisë shtetërore.

“Është momenti i fundit për LDK-në që të këndellet nga gjumi i thellë në të cilin ka rënë dhe të mos i përsërisë gabimet e së kaluarës, duke qenë në bisht të proceseve politike dhe historike”, ka thënë Hoxhaj, duke iu përgjigjur një postimi të kreut të LDK-së, Isa Mustafa, i cili e kishte cilësuar kryetarin e PDK-së provokator sikurse Serbia.

Postimi i plotë i Hoxhajt:

“Asnjëherë nuk është vonë për LDK-në ta japë kontributin e saj për ta përmbyllur shtetndërtimin e Kosovës. Është momenti i fundit për LDK-në që të këndellet nga gjumi i thellë në të cilin ka rënë dhe të mos i përsërisë gabimet e së kaluarës, duke qenë në bisht të proceseve politike dhe historike. Dua të besoj se brenda kësaj partie ka vullnet, dije dhe guxim për të vepruar në interes të vendit duke u bërë bashkë që të merremi me Serbinë dhe jo me njëri-tjetrin. Por duket që problemi është diku tjetër – nuk ka një mendim të prerë dhe të vendosur për asgjë. E mbi të gjitha kjo parti herë synon të thirret në trashëgiminë e saj rugoviane e herë të sillet si ekstreme duke i ngjarë VV-së”, ka shkruar Hoxhaj.

Reagimi i nёnskryetarit të PDK-së, vjen pasi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook tha akuza të rёnda e tё shumta kundër Kadri Veselit e partisë sё tij. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment