Muri me Meksikën: Trump tërhiqet, rihapet qeveria pas 35 dite

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se është arritur një marrëveshje për financimin afatshkurtër të agjencive qeveritare, gjë që shënon rihapjen e qeverisë, e cila qëndroi pjesërisht e mbyllur për 35 ditë.

Trump, në komentet që bëri në Shtëpinë e Bardhë, tha se financimi i përkohshëm për zgjidhjen e problemit, do të sigurojë menjëherë pagesat për punonjësit federalë, të cilët nuk janë paguar.

Ai tha se një komision dypartiak ligjvënësish do të punojë për hartimin e një pakete për sigurinë e kufirit, e cila është bërë burim mosmarrëveshjesh të gjata mes Presidentit dhe demokratëve të Kongresit, të cilët kanë refuzuar të japin fonde për ndërtimin e një muri në kufirin me Meksikën.

Presidenti Trump theksoi se ngritja e mureve ose barrierave në kufi është e rëndësishme për sigurinë e kufirit. Trump ka kërkuar fonde për ta ndërtuar një mur në kufi me Meksikën, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve ka refuzuar që të jap fonde për një gjë të tillë. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment