Mot me dëborë të paparë ka kapluar Gjermaninë Jugore dhe Austrinë

Dëborë e paparë ka kapluar Bundes Republikën e Bavarisë në Gjermaninë Jugore, derisa meteorologët parashikojnë që të reshurat e borës do të vazhdojnë edhe të hënën për ç’gjë është rritur niveli i alarmit për situata emergjente, transmeton Kabllogrami.

Kryeministri bavarez, Markus Soder të shtunën shkoi në rajonet e prekura nga rënia e madhe e dëborës që ka shkaktuar mjaft vështirësi. Soder u informua edhe për aksionet e ndihmës të forcave të shpëtimit në Bad Tölz.

Të shtunën në mbrëmje vazhduan sërish reshje të mëdha dëbore. Në pesë qarqe bavareze është shpallur gjendja e alarmit.

Nga e shtuna deri të hënën në mbrëmje do të bjerë dëborë edhe në malësitë gjermane saksone, por sidomos në zonat e Alpeve dhe Pyllin Bavarez reshjet priten të jenë shumë të mëdha, citon DW raportimet e agjencive të lajmeve AFP e DPA.

Rrezik paraqesin sidomos çatitë e rënduara nga sasia e madhe e dëborës. Ushtria gjermane ka dërguar 350 ushtarë në rajonet e prekura që të pastrojnë masat e dëborës, të furnizojnë banorët me ushqime e të transportojnë ndihmësit vullnetarë me automjete të rënda. 300 ushtarë të tjerë janë në gatishmëri.

Një zëdhënës i Kryqit të Kuq Bavarez është shprehur se “megjithë angazhimin disa ditor të vullnetarëve, shohim forca mjaft të motivuara për ndihmë në këtë situatë emergjente”.

Shqetësim përbën në rajon edhe rreziku i ortekëve. Fluturimet ajrore po ashtu janë prekur nga situata e dëborës. Në aeroportet e Mynihut dhe Frankfurtit janë anuluar të premten 100 fluturime.

Edhe hekurudha nuk paraqitet në gjendje më të mirë, mjaft linja hekurudhore nuk përshkohen për shkak të dëborës.

Në Austri forcat e shpëtimit morën me helikopter nxënësit e një shkollë që ishin bllokuar nga dëbora. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment