Monologu i Vuҫiqit ndërron veҫ stinët

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, në një bisedë për TV Prva, ka deklarur se “nuk përjashton mundësinë e incidenteve në Kosovë gjatë vjeshtës”, duke vazhduar me trillimet e shpifura të tij se “nuk do të ketë zbatim të planit të B-13, meqë Serbia nuk do të lejojë pogrom ose vrasje të serbëve”. Ҫka na qenka tash B-13, veҫ Vuҫiq e di, apo është shpifja e rradhës në repertorin e tij, shkruan Kabllogrami.

Ndërkaq, ndaj këtyre deklaratave ka reaguar edhe KFOR-i. “Situata aktuale e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe nën kontroll”, i tha gazetës “Danas” të Beogradit zëdhënësi i KFOR-it, Pio Sabeta.

“KFOR-i po punon në bashkëpunim të ngushtë me organizata vendëse e ndërkombëtare të sigurisë. Po pati kërcënim të çfarëdo lloji për mundësinë e shkeljes së situatës së sigurisë, KFOR-i është i gatshëm të miratojë masa të domosdoshme për ruajtjen e sigurisë në Kosovë” tha Sabeta duke iu përgjigjur deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, sipas të cilit ka mundësi për incidente në Kosovë gjatë vjeshtës, transmeton Koha.net.

I pyetur nëse KFOR-i ka njohuri në lidhje organizatën terroriste shqiptare B-13, për të cilën disa media në Serbi pohojnë se ka në plan të sulmojë serbët në Mitrovicën veriore, Sabeta u përgjigj se “KFOR-i po e ndjek me vigjilencë dhe në vazhdimësi situatën”.

Sipas Vuçiqit, qëllim strategjik i shqiptarëve të Kosovës që të mbisundojnë hapësirën e pjesës veriore të Kosovës. “Na pret një vjeshtë e rëndë sa i përket çështjes së Kosovës… Nuk dihet se me kë, as për çka mund të bisedohet me Prishtinën… Askush nuk po e kupton se taksat nuk mund të mbijetojnë”, është shprehur Vuçiq. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment