Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka shtruar pyetjen se “Deri kur kështu, që disa zyrtarë, burokratë të pandreqshëm, të luajnë me ndjenjat dhe durimin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj?!”, dhe ka vijuar tutje duke thënë se nuk duhet të ketë kompromis në të drejtën për të pasur sovranitet, integritet, për të lëvizur lirshëm e për të qenë të respektuar për vendimet që i marrin zyrtarët e vendit, njofton Kabllogrami
Ai përmes një postimi në faqen e tij nё rrjetin social Facebook ka shkruar se taksa 100% do të vazhdojë derisa nuk ka njohje nga Serbia, liberalizim dhe njohje të plotë nga BE-ja.
Nё vijim mund tё lexoni postimin e plotё tё Ministrit, Pal Lekaj pa ndёrhyrje tё redaksisё:
“Kosovën e mbytët me hipokrizi!
Është e vërtetë që jemi vendi më properëndimor në Evropë, e ndoshta në botë, por e vërteta tjetër e dhimbshme është se jemi më të margjinalizuarit në këtë pjesë të botës. Deri kur kështu, që disa zyrtarë, burokratë të pandreçshëm, të luajnë me ndjenjat dhe durimin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj?!
S’duhet të ketë kompromis në të drejtën tonë për të patur sovranitet, integritet, për të levizur lirshëm e për të qenë të respektuar për vendimet që i marrim.
Taksa 100% të vazhdojë, derisa nuk kemi njohje nga Serbia, liberalizim dhe njohje të plotë nga BE-ja.
Zotëri Komisionar Hahn, me këto lajme do të ishte më mirë të vinit në Kosovën e pavarur, e jo për të bërë trysni”. /©Kabllogrami/