Lionel Messi ka marrë çmimin “Këpuca e Artë”, si golashënuesi më i mirë në të gjitha ligat europiane sezonin e kaluar. Ky ishte çmimi i pestë për argjentinasin. Superylli i Barcelonës tani e kalon Cristiano Ronaldon, që ka katër, në listën e futbollistëve me më së shumë çmime të “Këpucës së Artë”, njofton Kabllogrami
Messi shënoi 34 gola në ligën elitare spanjolle, La Liga, sezonin e kaluar duke i ndihmuar Barcelonës ta fitojë titullin.
“Nuk e prisja gjithë këtë. Kur fillova të luaj, ëndrra ime ishte të bëhesha profesionist në futboll. Më pëlqen puna, përpjekja dhe, mbi të gjitha shokët e skuadrës. Jam në skuadrën më të mirë në botë, kam lojtarët më të mirë në botë te Barcelona dhe kjo e bën gjithçka më të lehtë, që unë t’i fitoj këto çmime”, ka thёnё Messi me rastin e marrjes sё kёtij çmimi.
Sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah ishte i dyti me 32 golat e tij në Premierligë.
Messi e ka fituar këtë trofe në sezonet 2009-2010 (34 gola), 2011-2012 (50 gola), 2012-2013 (46 gola), 2016-2017 (37) dhe tani 2017-2018 (34 gola).
31-vjeçari është golashënuesi më i mirë në histori të Barçës, me 572 gola në 655 ndeshje.
“Këpuca e Artë” ndahet nga “European Sports Media”, një shoqatë e gazetave dhe revistave europiane të sportit. /©Kabllogrami/