Mësimdhënësit ende në grevë, pa shenja se do t’u plotësohen kërkesat

Greva në Arsim po vazhdon, pa shenja se do të ndërpritet, derisa ata që po vuajnë janë nxënësit me prindërit e tyre që vijojnë mësimet në shkollat dhe institucionet publike në Kosovë. Derisa liderët institucionalë, deputetë, ministra etj, duket se fare s’po e qajnë kokën pasi që ata fëmijët i kanë sistemuar mirë nëpër shkolla private të shtrenjta dhe aty s’ka grevë, shkruan Kabllogrami.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se ka lëvizje dhe angazhime të shtuara nga institucionet e vendit, por nuk ka ndonjë ofertë konkrete që do të mundësonte ndërprerjen e grevës së mësimdhënësve.

Këshilli Qendror Grevist i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë /SBASHK/, kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se ende nuk ka plotësim të kërkesave të mësimdhënësve dhe se greva po vazhdon në të gjitha nivelet arsimore.

“Ka angazhime nga institucionet e vendit, por ofertat e tyre janë të padefinuara dhe nuk ka përafërim me kërkesat tona. Ne i kemi bërë të ditur se qëndrimi i të punësuarve në arsim, minimumi i kërkesës sonë është ngritja e koeficientit në tërë sistemin arsimor në 30 për qind. Ne do të vazhdojmë grevën me këmbëngulësi deri në realizmin e kërkesës sonë”, tha Jasharaj.

Koeficienti i mësimdhënësve të arsimit fillor dhe të mesëm aktualisht, sipas SBASHK-ut, është 2 deri në 2.3 me pagë mesatare nga 420 deri në 440 euro, kurse kërkohet që ky koeficient të rritet në 2.6 respektivisht 3, që i bie paga të arrijë në rreth 650 euro.

Këshilli Qendror Grevist i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, gjatë ditës së sotme kanë vizituar mësimdhënësit grevistë në disa komuna të Kosovës.

Si pasojë e grevës, procesi mësimor nga e hëna është ndërprerë në të gjitha nivelet publike, duke filluar nga institucionet parashkollore e deri tek institucionet e arsimit universitar.

Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, rreth 370 mijë është numri i nxënësve në institucionet e arsimit para-universitar, kurse 110 mijë është numri i përgjithshëm i studentëve. Ndërkaq numri i mësimdhënësve në nivel vendi llogaritet të jetë rreth 23 mijë.ReL /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment