Merkel duket këmbëngulëse në krijimin e ushtrinë evropiane

Berlin, 23 janar – Marrëveshja e re e nënshkruar midis Gjermanisë dhe Francës do të lehtësojë arritjen e nje Evrope më të fortë dhe krijimin e një ushtrie të Bashkimit Evropian (BE), tha kancelarja gjermane Angela Merkel.

Duke folur në ceremoninë e nënshkrimit në Aachen, Merkel nënvizoi angazhimin për “një Evropë të fortë, të qëndrueshme dhe sovrane” dhe theksoi se traktati i ri franko-gjerman do të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, duke zhvilluar një “kulturë të përbashkët ushtarake”, një industri të përbashkët të mbrojtjes dhe një politikë të përbashkët në eksportet e armëve.

“Duke vepruar kështu, ne dëshirojmë të japim kontributin tonë në zhvillimin e një ushtrie të re evropiane. Kjo do të funksionojë vetëm nëse koordinojmë në të njëjtën kohë politikat tona të jashtme”, theksoi ajo, transmeton koha.net.

Marrëveshja prej 16 faqesh e qytetit Aachen parashikon një integrim më të thellë ekonomik, bashkëpunim më të ngushtë në politikën e jashtme, si dhe mbrojtjen dhe hartimin e një “Bashkimi Evropian të Mbrojtjes” .

Duke rikonfirmuar angazhimet e tyre ndaj NATO-s, të dy vendet garantojnë njëri-tjetrin për çdo mbështetje të mundshme në rastin e një sulmi të armatosur.

Sipas marrëveshjes së re, dy fuqitë kryesore të Evropës do të rrisin përpjekjet e tyre për të forcuar BE-në dhe për të kryer konsultime të rregullta para takimeve të BE-së për të koordinuar më mirë politikat e tyre.

Berlini dhe Parisi po ashtu do të rrisin programet kulturore dhe arsimore të shkëmbimit dhe do të mbështesin projektet e shoqërisë civile për të nxitur bashkëpunimin ndërkufitar. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment