Më 1 Tetor 2019 vazhdon marshi i studentëve i ndërprerë dhunshëm më 1 tetor 1997

Organizatat studentore ORCA dhe Admovere ju ftojnë që të martën, 1 tetor 2019, nga ora 12:00, në 22 vjetorin e protestës së studentëve të Universitetit të Prishtinës, të mblidheni te ish ndërtesa e rektoratit të Universitetit të Prishtinës në Velani , në rrugën “1 Tetori”, për ta vazhduar marshin e ndërprerë në vitin 1997 nga forcat e regjimit të Millosheviqit.

Mbledhja para shtëpisë së familjes Shoshi në rrugën tash “1 Tetori”, fillon në orën 12:00 dhe do të përfundojë te kampusi i sotëm i Universitetit të Prishtinës, kësaj radhe të ndihmuar dhe të përcjellë nga Policia e Kosovës.

Ky marsh organizohet për t’i nderuar të gjitha familjet që mundësuan arsimin në shtëpitë e tyre private gjatë atyre viteve kur ai ishte ndaluar për shqiptarët nga regjimi i Millosheviqit. Po ashtu për ta përkujtuar rezistencën e shoqërisë sonë që u përpoq shumë për të drejtën themelore të qasjes në arsim.

Të interesuarit mund të marrin autobusin urban numër 4 dhe duhet të ndalen në stacionin te lagja “Taslixhe”, nga ku vendi i nisjes së marshit është 4 minuta larg. Ndërkaq, nisja e organizuar nga qyteti do të menaxhohet nga ORCA dhe Admovere. Të interesuarit për transport të organizuar duhet të jenë para Ministrisë së Arsimit në Prishtinë në orën 11:20, nga ku nisja bëhet me taksi, thuhet në njoftimin e bërë nga ORCA dhe Admovere. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment