Mbyllja e qeverisë amerikane ka hyrë sot të hënën në ditën e saj të 24-të, duke u bërë më e gjata në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me mijëra punonjës që punojnë për qeverinë e SHBA-së kanë mbetur pa i marrë pagat e tyre, derisa me ligj janë të obliguar që përditë të paraqiten në punë dhe të kryejnë detyrat e zakonshme.
Mbyllja u shkaktua nga kërkesa e Presidentit Donald Trump për miliarda dollarë për të ndërtuar një mur mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, një lëvizje që është refuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Presidenti Trump e quajti situatën në kufirin jugor “një pushtim” por shtoi më pas se nuk do të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme për momentin si mënyrë për të siguruar fonde për murin dhe për të rihapur qeverinë, raporton Zëri i Amerikës.
Në komentet e tij të fundit mbi përplasjen me demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me kërkesën për mbi 5 miliardë dollarë në fonde fillestare për një barrierë të përhershme në kufi, presidenti tha se do të preferonte që Kongresi të votonte dhe të autorizonte fondet.
Pjesë të qeverisë amerikane u mbyllën më 22 dhjetor pasi buxheti skadoi, ndërsa zoti Trump dhe Kongresi debatonin lidhur me kërkesën e Presidentit për fondet për ndërtimin e murit.
Mbyllja ka goditur afro një të katërtën e qeverisë federale, përfshirë Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe atë të Shtetit. Rreth 800 mijë punonjës të qeverisë nuk po paguhen dhe ata që po punojnë nuk e marrin rrogën deri kur të rihapet qeveria. /©Kabllogrami/