Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 e ktheu Serbinë në lojë për Kosovën

Nga Muhamet Hamiti

Si nënshkrues, në kohën kur ishte Kryeministër, Hashim Thaçi e quante ‘marrëveshje historike’, që paraqiste, ‘njohje de jure’ të Kosovës nga Serbia. Tash, si President i Kosovës, po thotë se duhen bërë kompromise të reja për të siguruar njohje të Serbisë.

Kur u pat nënshkruar “Marrëveshja e parë e parimeve për normalizimin e marrëdhënieve” [Kosovë-Serbi], më 19 prill 2013, Kryeministri i atëhershëm i Kosovës Hashim Thaçi e pat quajtur këtë “njohje de jure, juridike, të Kosovës nga Serbia”, siç njoftonte agjencia Reuters atë ditë. Një vit më vonë, po këtë marrëveshje, që në pikën e parë parashihte formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, Thaçi e quante “marrëveshje historike”. Në deklaratën e tij, Kryeministri Thaçi thoshte më 19 prill 2014:

“Kjo marrëveshje historike ka mbyllur kapitullin e përgjakur ndërmjet dy popujve dhe ka hapur kapitullin e paqes dhe të fqinjësisë së mirë. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kosova është shtet funksional dhe me kufij të sigurt në tërë territorin e saj.[…] Kjo Marrëveshje ka krijuar klimë të mirë politike në rajon, duke hapur perspektivë të sigurt për integrim të Kosovës në institucionet euroatlantike, në NATO dhe BE.”

Në ndërkohë, tash e një vit, si President i Kosovës, duke folur për fazën finale të dialogut me Serbinë, Thaçi flet për nevojën e korrigjimit të kufijve, të diskutimit të çështjeve të brendshme, për kompromise të reja, për të mbyllur (sërish për të mbyllur diçka!) konfliktin shekullor, për t’i siguruar Kosovës njohje nga Serbia, anëtarësim në OKB, në NATO dhe në BE.

Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në një intervistë që dha këtyre ditëve për një medium serb (Espreso) e sheh Marrëveshjen e Brukselit të 2013-shit si meritë të veten dhe kthesë të Serbisë, e cila “u kthye në lojë”, siç thotë ai, sepse shqiptarët nuk ishin të mençur t’i përmbaheshin thjesht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të vitit 2010 që e përligjte shpalljen e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008.

“Po të ishin shqiptarët të mençur, t’i përmbaheshin vetëm këtij (vendimit të GJND-së) në Këshillin e Sigurimit, dhe jo aty ku i kam pritur dhe i kam zënë dhe i kam mundur lehtë, Planit të Ahtisarit dhe gjhithçkaje tjetër, ne do ta kishim shumë më vështirë”, konstaton Vuçiq në intervistën për “Espreso”.

“Ata (shqiptarët/Kosova) kanë menduar se kishin përmbyllur çdo gjë qysh më 2008. Pastaj njëfarë Vuçiqi, për çudi, ia doli më 2013 që ta kthente Serbinë në lojë, dhe për këtë arsye janë nervozë. Prandaj, tash duan ta përfundojnë krejt këtë (punë),” konstaton Presidenti i Serbisë Vuçiq.

Marrëveshja e Brukselit – Marrëveshja e parë e parimeve për normalizimin e marrëdhënieve [Kosovë-Serbi] – në origjinalin anglisht gjendet këtu, në faqen e Kryeministrisë së Kosovës. (Edhe në përkthimin shqip në këtë faqe, natyrisht). E kishin nënshkruar kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi, dhe Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Dokumentin origjinal mund ta lexoni këtu:

http://www.kryeministri-ks.net…

Autori është mёsimdhёnёs në Universitetin e Prishtinёs dhe ishte Ambasadori i parё i Republikёs sё Kosovës në Britani tё Madhe. Ka qenë edhe pjesë e Kabinetit të Presidentit tё parё tё Republikёs sё Kosovёs, Ibrahim Rugova.

Comments (0)
Add Comment