Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka njoftuar se më 6 shkurt do të shkruhet histori, pasi aleatet e NATO-s së bashku me ministrin e jashtëm të Maqedonisë, Nikola Dimitrov do të nënshkruajnë protokolin e pranimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut, bën të ditur Kabllogrami.
Pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë dhe kalimin e saj në parlamentin e Maqedonisë dhe së fundi në parlamentin e Greqisë, Maqedonia Veriore pritet të anëtarësohet shumë shpejt në NATO.
Gjatë ditës së djeshme, Stoltenberg tha se kur Maqedonia Veriore të bëhet anëtare e NATO-s, “vendi do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në Evropë”.
“Unë pres që së shpejti të gjithë 29 aleatët do të nënshkruajnë Protokollin e Anëtarësimit. Pastaj Shkupi do të jetë pjesë e takimeve si një i ftuar për anëtarësim. Pasi të gjithë 29 aleatët të ratifikojnë Protokollin, ne do të jemi në gjendje të mirëpresim Republikën e Maqedonisë së Veriut si anëtare të 30-të të NATO-s”, deklaroi Stoltenberg. /©Kabllogrami/