‘Lista serbe’ barikadohet në Kuvend: Thonё qё e presin komisionerin Hahn

Deputetët e Listës serbe, hynë të dielën në mjediset e parlamentit të Kosovës ku siç thanë, do të presin një takim me komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili të hënën pritet të qëndrojë në Kosovë, bën të ditur Kabllogrami

Komisionari Hahn do të qëndrojë sot /të hënën/ fillimisht në Beograd e pastaj do të vie në Prishtinë për të diskutuar çështjen e tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe.

Nga ‘Lista Serbe’ thonё se duan ta njoftojnë komisionarin Hahn me “gjendjen dhe krizën e mundshme humanitare më të cilën populli serb po përballet nëse tarifat nuk tërhiqen”.

Më 21 nëntor, qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, si hakmarrje ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës.

Tarifat nxitën reagimin e zemëruar të Beogradit, derisa tё teledirigjuarit e tyre nga ‘Lista Serbe’ thirrёn protesta dhe shkëputën çdo komunikim me Prishtinën. Kryetarët e atyre komunave dhanë dorëheqje.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se tarifat nuk janë të drejtuara kundër serbëve të Kosovës dhe se duhet të mbeten në fuqi derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Madje ai tha se tarifat do të jene pjesë e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment