Limaj beson se Thaçi do t’ua jap dokumentet Ekipit për dialogun

Një tjetër takim ka mbajtur Ekipi Shtetëror për dialogun, kësaj radhe në zyrat e Nismës Socialdemokrate. Dhjetë anëtarë të këtij ekipi, përveç bashkëkryesuesit Shpend Ahmeti, kanë diskutuar rreth një orë për platformën shtetërore për dialogun, por pa rezultate konkrete.

Nikoqiri i takimit, Fatmir Limaj, ka thënë pas takimit se ai ka qenë i rregullt dhe se beson se shumë shpejt platforma do të jetë e gatshme për Kuvend. raporton KTV.

Por, burrat e këtij ekipi ende nuk i kanë parë dokumentet e dialogut që ka zhvilluar tash e shumë kohë presidenti Thaçi.

Limaj ka thënë se do t’i kenë të gjitha dokumentet që ka edhe presidenti, pasi që sipas tij, ekipi i Presidencës është duke i përgatitur të njëjtat për t’ua dhënë në posedim atyre.

Limaj ka thënë se e rëndësishme është që Kosova të ketë një zë të vetëm në këtë dialog, për ç’gjë është shprehur i sigurt se do ta kenë.

Në anën tjetër, grupi i asamblistëve të LDK-së, i ka kërkuar kreut të Prishtinës që të zgjedhë mes Prishtinës dhe Ekipit negociator.

Kjo pasi, sipas tyre, me angazhimin e tij në këtë përbërje, ka lënë anash punën e kryetarit, për çka LDK-ja i bën thirrje edhe Ministrisë së Administratës Publike të rekomandojë dorëheqjen nga njëra pozitë të Ahmetit. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment