Të martën (sot), më 25 qershor, nis zyrtarisht edicioni 2019/2020 i Champions League dhe kjo nisje starton pikërisht në kryeqytetin kosovar, në Prishtinë me ndeshjet e ruandit paraeliminator ku do të paraqitet edhe kampioni kosovar Feronikeli, raporton Kabllogrami.
Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë luajnë kampionët e katër vendeve të fundit në ranglistën e UEFA-s, Gjibraltarit, Andorrës, San Marinos e Kosovës. Nga ora 15:00 takohen Tre Penne e San Marinos me Santa Coloman e Andorrës, ndërsa nga ora 20:45 luajnë Feronikeli me Lincoln Red Imps të Gjibraltarit.
Për herë të parë Kosovës i është besuar organizimi i turneut parakualifikues i Ligës së Kampionëve. Nga një ndeshje e kësaj gare është luajtur më parë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Dy vjet më parë Trepça ’89 debutoi nga Kosova në “Champions”. Atëbotë nuk kishte raund parakualifikues, ndërsa skuadrat inferiore nisnin garën nga raundi i parë kualifikues. ‘89-shi u përball me Vikingurin e Ishujve Faroe. Humbi 2:1 në Torshavn dhe kishte shpresë se në ndeshjen e kthimit do të ndodhte përmbysja e madhe. Por në Mitrovicë më 4 korrik 2017, “xehetarët” dëshpëruan duke pësuar 4:1 dhe duke mbyllur shumë herët aventurën evropiane.
Para një viti u përfshi raundi paraeliminator dhe prej këtij ndryshimi në format përfitoi Drita e Gjilanit. Turneu i raundit paraeliminator ishte luajtur në Gjibraltar, ndërsa Drita me fitore ndaj Santa Colomas në gjysmëfinale dhe ndaj Lincolnit në finale kishte kaluar në raundin e parë kualifikues. Kështu, Drita në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, në Mitrovicë kishte pësuar 3:0 nga Malmo, ndërsa në Suedi 2:0 dhe kështu ishte eliminuar nga “Champinsi” për të vazhduar më pas garën në kualifikimet e Ligës së Evropës.
Tani është radha e Feronikelit të Drenasit për të bërë debutimin në “Champions” dhe për të tentuar të bëjë hap para. Zhvillimi i turneut parakualifikues në Prishtinë vlerësohet rrethanë favorizuese për kampionin e Kosovës. /©Kabllogrami/