Në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve të Evropës, kampioni i Republikës së Kosovës, Feronikeli nga Drenasi do të përballet sot në Uells, me kampionin e këtij vendi, skuadrën The New Saints (TNS), në ndeshjen që do fillojë në ora 20:00, raporton Kabllogrami.
Pasi përfundoi me sukses dy ndeshjet e para si vendas në Ligën e Kampionëve, Feronikeli është gati për hapin e radhës. Kampioni i Kosovës për herë të parë do të luajë ndeshje në udhëtim në kuadër të kualifikimeve për garën kryesore të klubeve evropiane të futbollit.
Në stadiumin “Park Hall”, në Oswestry, do të luhet ndeshja ndërmjet kampionit të Uellsit, The New Saints (TNS) dhe kampionit kosovar, Feronikeli. Kjo ndeshje e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve zhvillohet të martën (sot) nga ora 20:00.
Ndeshja e kthimit luhet pas një jave, konkretisht më 16 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Raundi i parë kualifikues është faza ku vjet u ndal Drita e Gjilanit, e para dy vjetësh Trepça ’89. Para dy vjetësh nuk ka pasur fazë parakualifikuese, ndërsa vjet e sivjet po. Se a do të jetë skuadra drenicase e para që do të kalojë këtë raund kualifikues mbetet të shihet në dy ndeshjet e rradhës që do t’i zhvillojë kundër ekipit uellsian. /©Kabllogrami/