Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk ndodhet në rend të ditës në takimin e ministrave të BE-së në dhjetor

Shtetet e BE-sё nuk e kanë vendosur liberalizimin e vizave për Kosovën në rendin e ditës të takimit të muajit të ardhshëm të ministrave të tyre, thanë burimet diplomatike të BE-së në Bruksel, njofton Telegrafi, transmeton Kabllogrami

Një burim diplomatik i një vendi anëtar të bllokut evropian në Bruksel tha për dtt-net.com se në projekt-rendin e ditës të takimit të 6 dhe 7 dhjetorit të ministrave të drejtësisë dhe të brendshëm çështja e heqjes së vizave për Kosovën nuk figuron.

“Diskutimet ende po mbahen në nivel teknik. Projekt-rendi aktual i ditës nuk e përfshinë liberalizimin e vizave”, ka thënë për dtt-net.com diplomati, i cili kërkoi që të mos identifikohet për publikun, transmeton KP, pёrcjell Telegrafi.

Në korrik të këtij viti Komisioni Evropian (KE) iu pat propozuar vendeve anëtare të BE-së që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave, meqë vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara.

Në shtator këtë propozim të KE-së e përkrahu edhe Parlamenti Evropian (PE), por shumica e qeverive anëtare të bllokut evropian tash po frikohen se heqja e vizave për Kosovën dhe jehona mediatike që ky vendim do të kishte tek opinioni i tyre publik do të ishte i keq dhe do të ndikonte negativisht për partitë e tyre politike në prag të zgjedhjeve të PE-së, të cilat mbahen në maj.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, të cilit BE-ja nuk ia ka hequr vizat për lëvizje të lirë në zonën Schengen.

Vizat i janë hequr Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë në vitin 2009 ndërsa Shqipërisë dhe Bosnjës një vit më vonë. /©kabllogrami.com/

 

Comments (0)
Add Comment