Motra e Vëllezër të nderuar,
Me zemër të plasur, nga mergimi, po jua shkruaj këtë letër vëllazërore si këshillë apo protestë, nga dëshpërimi i madh që po i ndodh shtetit tonë, kur për çdo ditë n’a vijnë lajmet më të hidhura, vendime fatale, të udhëheqësisë sonë shtetërore. Në këto momente dramatike që po kalon Kosova, LDK-ja ime, sot ti nuk je në nivelin që duhet të jesh. Akronimi juaj që shkëlqente dikur sot është zbeh, LDK-ja sot është patetike, ajo ende jeton me shkëlqimin e I. Rugovës dhe me veprat madhështore të Babës. Por, a jetohet me namin e njeriut që moti ka kaluar në amshim?
Sot kur Kosovës i del tymi në Veri e Lindje, sot kur Kosovës i vijnë e i shkojnë sinjale të frikshme nga Prishtina në BE e Rusi, kur lypen konferenca, kur Kryeministri më vështirë e ka të hjek taksën se të falë 8.000 ha, kur kryetari që e instaluat ju, fton diktatorin rus në Prishtinë. Me gjthë keto ngjarje të kobshme, ti, LDK-ja ime, vazhdon gjumin tënd të thellë në këtë dimër të acartë e të frikshëm, kur gjymtyrët me vitale të shtetit tonë duan t’i amputojnë!
Unë e di, se LDK-ja është një trashëgimi e pazëvendësueshme kombëtare nga babai i kombit, jam i vetëdishëm se aty ka shumë njerëz të mrekullueshëm dhe atdhedashës, ashtu siç jam i vetëdishëm se aty ka edhe nga ata që jetojnë ende me kodin e Titos, nga ata, qe aty janë vetëm për pushtet, karrierë dhe profit, derisa këtë e bëjnë me finesë e shkëlqim, me çdo pushtet që vjen e shkon dhe në bashkëveprim. Unë, poashtu e di se aty ka shumë mosbesim, përçarje, konspiracion, urrejtje, frikë dhe pasiguri, por askush nuk është në gjendje të ngre zërin, sepse çdokush lakmon një pozitë, një jetë luksi në të ardhmen, askush nuk do të rrezikoj pozit[n e vet, por ka edhe të tillë që e duan fort LDK-në dhe Kosovën, pa asnjë kusht.
Fatkeqësisht, LDK-ja, i humbi të gjitha zgjedhjet lokale dhe qendrore pas shkuarjes së Babës në amshim, por ajo menaxhoi të jetë prezente në shumë pushtete, të bashkëqeverisë, të bashkënënshkruaj marrëveshje të pafavorshme, ishe pjesë e korrupsionit masiv, që dorën në zemër, ata të luftës e morën hisen e plaçkës më të madhe, jo se LDK nuk deshi, por se ata ishin me ‘trima’ dhe më të dhunshëm kur ishte plaçka në pyetje. Megjithate, ju kurrë nuk e ndalët asnjë rast të vetëm të korrupsionit masiv kur ishit në pushtet, dhe kurr s’patët vullnet t’a luftoni atë.
Tash, kur Nëna/Kosova tymon, ju kriheni, tash kur në prapaskenë bëhen pazare, ju nuk keni forcë të rezistoni, ju nuk keni deshirë të jeni pjesëmarrës të negociatave, por e leni sallamadi, ate që e instaluat të veproj. Ju kërkoni zgjedhje të reja, sepse jeni të etshëm për pushtet, sepse ju është ndal tagjia. Do të dëshiroja që LDK e VV të marrin pushtetin sepse aty ka njerëz premtues, por pa bashkëveprim s’ka sukses. Ju ose rrëzojeni qeverinë nëse keni fuqi ose bëhuni pjesë e negociatave, sepse pa ju dhe VV-në, asnjë marrëveshje s’do të ketë legjitimitet.
Ju s’patët ndikim as në greva, as në ndaljen e tyre, dikush i organizoi vetë dhe i ndali poashtu. Ju heshtët, ju dhe VV s’keni as fuqi të organizoni demonstratë në keto momente dramatike për Kosovën, jeni bërë vëzhgues pasiv dhe prepotentë, apo e kundërta impotentë.
Nëse, kryetari lëngon (n’a vie shumë keq për këtë situate, por atij zoti i dhashtë shëndet e jetë të gjatë) por partia s’duhet ndalur por të veproj me guxim e jo me kalkulime meskine. Heshtja dhe mosveprimi në momente dramatike për shtetin janë poaq të dëmshme sa ndarja!
LDK, ti në të kaluarën ke pas privilegje te medha, derisa diaspora punonte në menyrë vullnetare, ju thithnit fonde, por kurr s’ishit në gjendje të kërkoni llogari nga Kryeministri në ekzil dhe Ministri Financave, jo vetem për 3% por edhe për Dardania Bank, pengesat që i bëheshin presidentit nga të apostrofuarit, dhe angazhimi i PR-it, Ruder Finn e firmave tjera, në emër të lobimit pa dhënë rezultate e llogari.
Ti, LDK, falë lidershipit të presidentit Rugova, pate shtrirje masive, në çdo cep të Evropës, në Australi, në Kanada, në SHBA deri në Alaskë. Asnje parti politike në botë s’ka pas shtrirje masive të tillë dhe vështirë se mund të përsëritet. Falë degëve të fuqishme të LDK-së brenda e jashtë dhe përkrahja e tyre e parezervë për kryetarin Rugova e bëri të mundur që kryetari Rugova t’u mbijetojë të gjitha shantazheve ëe vinin nga mbrenda si dhe nga jashtë. Megjithatë, LDK-ja ime, ti i injorove këto asete kombëtare, kurrë nuk mblodhe arkivat e degëve, dokumentacionin nga diaspora, dhe me këto materiale të hapësh ekspozita, të tregosh historinë e vërtetë të degëve jashtë dhe rolin e tyre per çlirim dhe pavaresi të Kosovës.
Derisa tërë diaspora jonë punoi për LDK-në, ju kryesia e LDK-së ishit bukëpërmbysës sepse jo vetëm që i shkatërruat urat me diasporën por edhe i përbuzët, i tërhoqet zvarrë njerëzit më eminent, ua përplasët në fytyrë derën e shtepisë së tyre vetëm se nuk mendonin si ju, si kryetari. E nëse s’e keni ditur, kesaj i thonë demokraci e brendshme.
Ju injoruat amabasadorët më të devotshem te Kosovës, dhe kur ata lobonin çdo gjë shkonte në favor të Kosovës. Si shembull ilustrues po marr grupin “ Albanian Issues Caucus” kur në vlugun e punëve të degëve të LDK-së ne SHBA, AACL dhe NAAC numëronte rreth 30 kongresistë, sot kur jemi te pavarur, me kryetar, KM, aq shume ministri, me ambasada, konsulata, mezi mbërrin njeshifrorin dhe me një imazh të brishtë. Sa për kurreshtjen tuaj numri i anëtarëve të LDK-së në Amerike përbehej nga të gjitha trevat etnike shqiptare, kjo erdhi falë një organizimi të mirë të shqiptarëve në Amerikë, që lobuan, financuan, bënë fushata për miqtë tanë, organizuan demonstrata masive në Washington DC, New York, Detroid, Chicago, demonstrata – që ju s’jeni në gjendje t’i organizoni as në Prishtinë, kjo ishte edhe falë vizionit të kryetarit Rugova që gëzonte një autoritet të pakontestuar në SHBA.
Ti, LDK-ja ime e shtrenjtë e përtace, që do të duhej të kujdesesh për lavdinë, trashëgiminë dhe përvojën e së kaluarës, ti në vend të këtyre zgjodhe tkurrjen, përçarjet dhe pushtetin pa parime e princip. Ti nuk i sigurove vetëvetes as edhe një kulm dinjitoz mbi krye si PDK e AAK. Ti e shembe të vetmen dritare karshi botes QIK-un, nje institucion të famshëm, që njerëz flijuan jetën për të.
Ti, LDK-ja ime, as nuk pate guximin qytetar që të kërkosh me këmbëngulje, drejtësi për vrasjet e njerëzëve më të devotshëm tuaj edhe pas 19 vitesh. LDK, aktivizo, bijtë e bijat tua më të sinqerta, e që janë me bollëk, je çerdhe e vërtetë, jepju shanse atyre, që të harrojmë kuvendet e karrigeve dhe perçarjet e mëdha, vazalitetet denigruese dhe humbjet e njëpasnjëshme. Ku mbeti ajo tradita e gjatë e udhëheqjes, solidariteti, intelektualizmi, urtësia. Hudhi nga qafa ata që të janë varur qe 20 vite, ripërtrihu.
LDK-ja ime e shtrenjtë, të lutem nga toka deri në qiell, vepro tash s’a s’është shumë vonë, konsolidohu, merre veten, bashkëvepro me LVV-në dhe të tjerë, shpëto shtetin nga shembja, që protagonistët e zgjedhur ia kanë vënë minat në katër anët. Jepju shansën të rinjëve të realizojnë ënderrën e tyre. Ne kemi besim akoma në ty, në kuadro që ke brenda, mos n’a i shuaj shpresat, jetëso kufinjtë tuaj shtetëror, dhe trajto me dinjitet të gjithë anëtarët tuaj brenda e jashtë Kosovës. Unë, edhe pse jashtë portës suaj, shtëpisë sime të shenjtë, do të qëndroj jashtë dere, do t’ju ruaj si gjithëmonë, si një ‘argat’ i devotshëm pa lypur asnjë privilegj të vetëm nga ju, vetëm me një qëllim, të ruaj njerëzit e shtepise sime, por jo hajdutët brenda!
LDK, ti ke qenë një zonjë e rëndë e Dardanisë dhe duhet të mbetesh si e tillë, me një organizim të mirëfilltë, ti sërish do të shkëlqesh, ne besojmë, se ti do t’a marrësh timonin e shtetit, sepse me ty jemi më të sigurtë. Shpresoj që këtë letër t’a pranoni me sinqeritet e sportivitet e jo si tendencioze.
Vëllazërisht, me mall, dhe urimet më të sinqerta,
Vëllau juaj,
Ramazan Bekteshi, Ish-kryetar i degës së LDK-së në Çikago (1990-1995) dhe Koordinator i degëve të LDK-së për Amerikë e Kanada (1992-2000)
Alexandria, Virginia, USA