LDK kategorike: Nuk do të jemi pjesë e Ekipit dialogues

Pas takimit që ka mbajtur sonte me anëtarët e Kryesisë së partisë, Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka pohuar se pozicioni i partisë së tij në dialog, do të jetë opozitar, pasi sipas tij, dialogun duhet ta udhëheq qeveria e vendit.

Ai ka pohuar po ashtu se LDK konstaton se presidenti i Kosovës ka bërë shkelje kushtetuese, duke mos lejuar që LDK të ketë dy vende në KQZ.

Mustafa ka shtuar se në KQZ po hyjnë grupe parlamentare pa legjitimitet, të cilat janë formuar më vonë. Ai ka paralajmëruar se nëse kërkesa e tyre nuk plotësohet, ata do të ndjekin rrugën ligjore.

“Presidenti i ka bërë dy shkelje të mëdha. Një, që po i ndryshon kriteret që janë të përcaktuara me kushtetutë, dhe e dyta që i ka shkelur të gjitha afatet e konstituimit të KQZ-së dhe kanë mbetur shumë trupa parlamentarë, qoftë në nivel lokal ose qendror pa u kompletuar, për shkak të kësaj neglizhence nga ana e presidentit të vendit”, ka thënë Mustafa.

Lidhur me dialogun e Kosovës me Serbinë, Mustafa ka thënë se do të vazhdojnë ta përkrahin vetëm nga aspekti i partisë opozitare, transmeton KP.

“Gjithmonë kemi konstatuar se negociatat duhet t’i zhvillojë Qeveria e Republikës së Kosovës. Nëse qeveria i ikë përgjegjësisë së saj dhe formon grupe për ta mbuluar përgjegjësinë, është çështje e qeverisë. Ne do të mbajmë pozitën tonë si opozitë dhe si opozitë do t’i kontribuojmë dialogut”, ka thënë Mustafa.

Lidhur me çështjen e korrigjimit të kufijve, Mustafa ka përsëritur qëndrimin se LDK nuk do ta përkrahë një gjë të tillë edhe nëse arrihet marrëveshja. /©Kabllogrami/

 

Comments (0)
Add Comment