Lajmi i Fundit vjen nga Kushtetuesja: Ekipi negociator shpallet antikushtetues

Gjykata Kushtetuese sipas një aktgjykimi të sapo shpallur, e kanë shpallur Ekipin negociator në dialogun me Serbinë, ekip antikushtetues.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në rastin KO43/19, parashtruar nga: Albulena Haxhiu, Driton Selmanaj dhe tridhjetë  deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në seancën shqyrtuese të mbajtur më 13 qershor 2019.

Objekt i çështjes së kërkesës së parashtruar ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së neneve 1, 2, 4, 10 (paragrafi 4 nën-paragrafët 1 dhe 2) dhe 11 (paragrafi 3) të Ligjit nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë (Ligji i kontestuar).

Parashtruesit e kërkesës pretenduan se Ligji i kontestuar, në tërësi, nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe në thelb kishin tri pretendime kryesore: përcaktimi dhe ndryshimi i hierarkisë institucionale kushtetuese dhe vendimmarrëse në dialogun me Serbinë; kompetencat ligjore të delegacionit shtetëror ndërhyjnë drejtpërdrejtë në kompetencat kushtetuese të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, si dhe dhënia e karakterit lex specialis Ligjit të kontestuar.

Gjykata e vlerësoi kërkesën të pranueshme për shqyrtim dhe në shtjellimin e meritave të kërkesës gjeti se:

– Delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit. Si i tillë, delegacioni shtetëror nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit, sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës.

Më tej, Gjykata konstatoi se bartja e kompetencave të institucioneve kushtetuese tek “mekanizmi i posaçëm” i krijuar me Ligjin e kontestuar, është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë dhe nuk është në pajtim  me vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit, të përcaktuara me nenin 7 të Kushtetutës, sepse i mvesh delegacionit shtetëror funksione të cilat nuk përkojnë me dispozitat kushtetuese.

Gjykata po ashtu konstatoi se, me normat kushtetuese në mënyrë shprehimore është paraparë obligimi përkitazi me ushtrimin e kompetencave kushtetuese në sferën e politikës së jashtme për institucionet kompetente dhe se kompetenca për të dialoguar me një shtet të tretë, nuk mund të bartet tek delegacioni shtetëror si “mekanizëm i posaçëm” përmes një akti më të ulët juridik, siç është Ligji i kontestuar.

Më tutje, Gjykata konstatoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës është i obliguar ta mbikëqyrë politikën e jashtme në kuadër të kompetencave kushtetuese të parapara sipas paragrafit 12 të nenit 65 të Kushtetutës. Gjykata po ashtu theksoi se paragrafi 1, i nenit 93 të Kushtetutës i përcakton kompetencat e Qeverisë në “propozimin dhe zbatimin e politikës së brendshme dhe të jashtme të vendit”, përderisa paragrafët 1 dhe 9 të nenit 94, përcaktojnë se Kryeministri, si i pari i Qeverisë, “Përfaqëson dhe udhëheq Qeverinë”, si dhe “Këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit”.

Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se përfaqësimi në sferën e politikës së jashtme është detyrë e institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës. Kjo kompetencë është e përcaktuar me Kushtetutë dhe nënkupton, para së gjithash, që çdo negocim apo veprim tjetër që ka të bëjë me lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare në emër të Republikës së Kosovës, duhet të jetë brenda detyrimeve kushtetuese që kanë institucionet e Republikës së Kosovës. Gjykata po ashtu konkludoi se, kompetenca për arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk mund të bartet ose transferohet nga institucionet kushtetuese në një “mekanizëm të posaçëm“, siç parashihet me Ligjin e kontestuar.

Gjykata në fund njëzëri vendosi që, nenet 1 (paragrafi 1), 2, 4, 10 (paragrafi 4, nën-paragrafët 1 dhe 2), dhe neni 11 (paragrafi 3) të Ligjit nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, nuk janë në pajtueshmëri me paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafin 12 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit], paragrafin 1, të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], dhe paragrafët 1 dhe 9 të nenit 94 [Kompetencat e Kryeministrit] të Kushtetutës, dhe se rrjedhimisht Ligji i kontestuar, në tërësinë e tij, është i papajtueshëm me Kushtetutën. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment