Sonte në në Paris ndahet ҫmimi ‘Topi i Artë’ për lojtarin më të mirë në botë për vitin 2019, me Virgil van Dijk të Liverpoolit, Lionel Messin e Barcelonës, dhe Cristiano Ronaldon e Juventusit në garë si tre kandidatët kryesorë për ta fituar atë.
Virgil van Dijk i Liverpoolit shihet si kandidati kryesor për ta fituar këtë ҫmim duke pasur parasysh edhe sukseset e tij me klub ku arriti të fitojë Ligën e Kampionëve të Evropës me Liverpool-in këtë vit, por edhe Lionel Messi shihet si një nga favoritët për ta fituar Topin e Artë 2019, pas një sezoni të shkëlqyer me Barcelonën.
Madje sipas disa spekulimeve në mediat botërore në javën e fundit, argjentinasi në fakt tashmë është zgjedhur si fitues i çmimit më prestigjioz në futbollin botëror, por kjo mbetet të shihet sonte në Paris.
Messi dhe Van Dijk bënë paraqitje të shkëlqyera në fundjavën e fundit para shpalljes së fituesit, duke treguar përse janë në garë të ngushtë për ta fituar çmimin e ndarë nga revista prestigjioze franceze, France Football.
Van Dijk shënoi dy gola me kokë për t’ia siguruar Liverpoolit një fitore tjetër në Premierligë dhe rrjedhimisht ruajtjen e epërsisë prej tetë pikëve në krye të renditjes.
Messi realizoi një gol të vonshëm por fantastik duke u përkujdesur që Barça ta mundë 1:0 Atleticon dhe ta kthehet në krye të Ligës, duke e kaluar Real Madridin.
Nëse superylli argjentinas fiton, atëherë do ta kalojë Ronaldon, duke u bërë lojtari i vetëm me gjashtë Topa të Artë në histori të futbollit, derisa Ronaldo këtë vit nuk shihet si kandidat kryesor për fitimin e këtij ҫmimi prestigjioz pasi që me Juventusin përveҫ fitimit të kampionatit italian, nuk arriti suksese në garat evropiane. /©Kabllogrami/