Kur presidenti godet ulët kryeministrin

Koment i redaksisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është bërë i gjallë, por vetëm përmes Facebook-ut, pas një humbjeje pa gjurmë për gati dy javë. Tash ka zgjedhur të ‘moralizojë’ duke i kërkuar kryeministrit që të dëgjojë këshillën e amerikanëve dhe ta hjekë taksën ndaj Serbisë, shkruan Kabllogrami.

Thaçi tash merr rolin e zëdhënësit të stejt-departmentit amerikan duke thënë se “Zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane”, duke konkluduar se” Kjo situatë është për keqardhje”.

Më pas godet Haradinajn në stilin e tij: “Teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës”.

Pastaj Thaçi me perfiditetin e tij, nuk e dimë a kërcënon apo moralizon kur i drejtohet Haradinajt me fjalët:

“Cenimi i raporteve me SHBA-në, i kësaj aleance të shenjtë, paraqet fillimin e cenimit të shtetit tonë. Gjithashtu, as arroganca e treguar në raport me Bashkimin Evropian nuk e nderon shtetin dhe as nuk i bënë krenarë aleatët tanë dhe SHBA-në”.

Mbase s’ka faj Thaçi, sepse politikat e tij shtet-shkatërruese /si brenda dhe jashtë/ këto 10 vitet e fundit kanë bërë që të gjithë të luajnë me ne, të na nëpërkëmbin, të tregohen arrogantë e të na poshtërojnë gjithandej – me BE-në në krye. Mbase Thaçi ka qejf që ky trend të vazhdojë deri në shkatërrimin total të vendit, ngase veprimet e tij që nga marrja e pushtetit në Kosovë, emërues të përbashkët kanë pasur rolin e tij sikur të ishte zyrtar serb, duke forcuar gjithnjë pozitën e Serbisë, njëherit duke dëmtuar rëndë pozitën e Kosovës kudo në botë.

Kur u gjet dikush që vendosi t’i thotë ‘stop’ arrogancës dhe nëpërkëmbjes që po ia bëjnë Kosovës në kontinuitet që kur Thaçi mori pushtetin – që nga Serbia e kudo në botë, atëherë ai kthehet e e quan ‘arrogant’ kryeministrin që vepron me ‘teke personale’ dhe që po ‘cenojka’ e ‘lëndojka’ intersat e “miqve” dhe të Kosovës.

Thaçi do duhej ta dijë se lideri duhet të ketë përkrahjen popullore për vendimet e marura. Lideri për këtë është, që lidershipi i tij të jetë në përputhje me popullin dhe interesat e tij. Thaçi s’ka si ta dijë këtë, pasi që çdo vendim për 10 vjet e ka marrë kundër interesave të popullit të Kosovës. Dhe, kryeministri përkundër plot magësive që ka dhe që ka treguar në qeverisje këto dy vitet e fundit, në një gjë ja ka qëlluar fort /ka vendosur taksën/ dhe për këtë e ka qartur “Evropën Plakë” e disa tjerë, pasi që s’ishin mësuar që Kosova të ketë qëndrim dinjitoz në mbrojtjen e interesave të veta nën pushtetin e Hashim Thaçit.

E ky veprim i kryeministrit, BE-së mund t’i duket arrogant siç “moralizon” sot Thaçi në facebook-un e tij, por një gjë është e sigurtë: se vendimi për taksën 100% kundër Serbisë gjenocidiale – ka gjetur përkrahje të gjerë popullore në Kosovë si kurrë më parë, përkrahje të cilën Thaçi kurrë s’e ka pasur dhe s’mund ta ketë me veprimet dhe vendimet e tij në kontinuitet anti-kombëtare. Prandaj, mos është bërë xheloz për këtë në Haradinajn. /©Kabllogrami/

Në vijim mund ta lexoni të plotë statusin e Thaçit në Facebook:

“Duhet të jemi krenarë për lirinë që e gëzojmë dhe për ndërtimin e shtetit tonë. Jo shumë vite më parë, kjo ishte vetëm një ëndërr e largët. Tani është realitet i përjetshëm.

Rrugëtimi ynë ishte tepër i gjatë dhe me plotë vështirësi e sakrifica. Por, ne nuk ishim të vetmuar përgjatë këtij rrugëtimi.

Suksesi ynë historik do të ishte i pamundur pa ndihmën e SHBA-së dhe aleatëve tjerë perëndimorë. Prandaj, duhet të jemi mirënjohës përgjithmonë.

Miqësia e Kosovës me SHBA-në është e përhershme, mirëpo përkrahja amerikane nuk mund të konsiderohet e pakushtëzuar në rast se ne bëjmë gabime që i vënë në pikëpyetje interesat dhe vlerat amerikane në Kosovë, rajon dhe Evropë. Vlerat tona dhe vizioni ynë përputhen me ato amerikane.

Zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane. Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit.

Teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës.

Cenimi i raporteve me SHBA-në, i kësaj aleance të shenjtë, paraqet fillimin e cenimit të shtetit tonë.

Gjithashtu, as arroganca e treguar në raport me Bashkimin Evropian nuk e nderon shtetin dhe as nuk i bënë krenarë aleatët tanë dhe SHBA-në.

Aleanca e Kosovës me SHBA-në peshon më shumë dhe është më e rëndësishme se interesi i kujtdo qoftë. HTH”

Comments (0)
Add Comment