Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në negociatat për Brexit, Michel Barnier ka thënë se nëse Britania largohet nga BE-ja pa marrëveshje, atëherë duhet pasur kujdes të madh të mënjanohen eskalimet e kufirit problematik në mes të Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore, transmeton Kabllogrami.
Barnier ka thënë në një konferencë të mërkurën se BE-së do t’i duhet të mbrojë konsumatorët dhe bizneset përmes kontrolleve të mallrave britanike nëse Brexiti përfundon pa marrëveshje me 29 mars.
“Neve do të na duhet sërish që të bëjmë kontrolle diku”, ka thënë Barnier, duke mos specifikuar se ku mund të ndodhin këto vëzhgime.
Sipas tij, sfida kryesore do të jetë Republika e Irlandës, e cila si anëtare e BE-së ndan kufirin me Irlandën Veriore të Britanisë.
Rikthimi i një kufiri të ashpër në këtë zonë konsiderohet vendim i ndjeshëm pas disa dekadave prej kur ka përfunduar një konfilikt nacionalist mes Irlandezëve dhe Anglezëve.
Edhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel në një fjalim në Forumin Ekonomik Botërore në Davod të Zvicrës ka thënë se ajo është duke punuar në procesin e Brexitit, ndonëse është duke u rritur konfuzioni për atë se si do të largohet Britania nga blloku evropian dhe se si duhet përballur shokun që përçon Brexiti. /©Kabllogrami/