Kryetarja e KQZ: Kurdo qoftë jemi të gatshëm për zgjedhje

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e mbështetur nga anëtarët, ka kërkuar nga sekretariati i KQZ-së që të mobilizohen, që në rast të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, të jenë të gatshëm për organizimin e tyre.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku u regjistruan tre parti të reja politike, Valdete Daka tha se e sigurojnë publikun që janë të gatshëm për organizmin kurdo që vendoset të mbahen zgjedhjet në Kosovë, raporton ksp.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se sekretariati duhet të fillojë mobilizimin, jo përgatitjet, për zgjedhje të mundshme në fund të muajit shtator apo në fillim të tetorit të këtij viti.

“Duhet ta sigurojmë publikun se ne jemi të gatshëm që kuro qoftë ato të shpallen t’i organizojmë, dhe natyrisht ne si trup vendimmarrëse kërkojmë nga sekretariati t’i fillojë, jo përgatitjet për zgjedhje, por që të mobilizohen që në rast se kemi zgjedhje qoftë muajin e ardhshëm qoftë pas atij, të jenë të gatshëm që t’i përgjigjen kërkesës për organizimin e zgjedhjeve. E sigurojmë publikun që jemi të gatshëm dhe kurdo qoftë ato zgjedhje shpallen ne do t’i organizojmë”, tha ajo.

Ndërsa, anëtari i KQZ nga rradhët e LVV-së, Adnan Rrustemi mendon se zgjedhjet do të mbahen së shpejti dhe nuk duhet asessi të na gjejnë në befasi.

Ai shprehet se “Kjo nuk na ndalon si sekretariatit të fillojmë planifikimin e buxhetit, të resurseve profesionale, njerëzore, si dhe të përgatitjes së operacioneve që procesi zgjedhor të shkojë sa më mirë.”. “Zgjedhjet mund të jenë shpejt, në fund të shtatorit, fillim të tetorit më sa largu, e nuk duhet të jemi në befasi të paktën për këtë periudhë”, ka thënë ai.

Kujtomë se kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka caktuar datën 22 gusht për seancë në të cilën do të jetë pikë e rendit të ditës shpërndarja e kësaj legjislature të Kuvendit. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment