Përderisa Washingtoni po shkrihet gjatë mbylljes së qeverisë, skenari më i keq për politikën e jashtme të presidentit tashmë ka ndodhur.
Komisionet e Kongresit, njësoj si prioritetet e politikanëve që i udhëheqin ato, ndryshojnë me kalimin e kohës. Në mëngjesin e së mërkurës, Eliot Engel, kongresisti demokrat nga Nju Jorku që sapo e ka marrë udhëheqjen e Komisionit për Punë të Jashmte, u ul në një ulëse të madhe lëkure në zyrën e tij dhe më tha se veprimi i tij i parë si shef i këtij komisioni do të jetë krijimi i një nënkomisioni që do të merret me hetimin e Presidentit Trump.
Pas sulmeve të 11 shtatorit, paraardhësit e Engelit në Komisionin për Punë të Jashtme e kishin themeluar një nënkomision për terrorizmin, i cili e kishte vënë në pah fokusin e papritur dhe të vendosur të Amerikës për t’iu kundërvënë kërcënimeve të këtilla. Kjo tregon që është pikërisht ky nënkomision që Engel do ta eliminojë për të mirën e panelit të tij të ri hetues. “Nuk kishte kërkesa të mëdha për mbajtjen e panelit kundër terrorizmit”, më tha Engel, ndërsa skandaleve të Trumpit në politikën e jashtme, të cilat grupi i tij do t’i hetojë, nuk po u shihet fundi. “Ne menduam se duhet të bëjmë diçka të rëndësishme në këtë periudhë kur Kongresi do ta rishfaqë fuqinë e vet, kur ka shumë veprime të dyshimta të kësaj administrate në lidhje me politikën e jashtme dhe e pamë të arsyeshme ta bëjmë këtë”, thotë ai. Me fjalë të tjera, Trumpi është kërcënim më i madh sesa terrorizmi. Të paktën tash për tash.
Komisioni për Punët e Jashtme nuk është saktësisht komision që merret me hetime. Në ndonjë situatë tjetër politike, prioriteti kryesor i Engelit do të mund të ishte mbajtja e seancave dëgjimore për konfliktin e pakontrolluar mes Rusisë dhe Ukrainës, për qëndrimin armiqësor në rritje të Kinës ndaj fqinjëve të saj ose për dështimin e strategjisë amerikane në Afganistan. Engel, i cili ka qenë përfaqësues i Bronksit dhe disa pjesëve të rajonit të Uestçesterit në Kongres nga vitet e tetëdhjeta, është një demokrat që parapëlqen dhunën më shumë sesa zgjidhjet paqësore në politikë. Ai e ka mbështetur hyrjen e forcave amerikane në Irak në vitin 2003, ndonëse më vonë u pendua për këtë, dhe ka qenë i përqendruar për një kohë të gjatë në të drejtat e njeriut dhe polikën e Shteteve të Bashkuara ndaj fqinjëve të pjesës perëndimore.
Sidoqoftë, ky nuk është çasti i duhur për tema të tilla. Këto kriza ndërkombëtare sigurisht se do të shtrohen në komisionin e Engelit. Megjithatë, ato nuk do të jenë pjesë kryesore e agjendës, e cila, njësoj si shumë fusha tjera të jetës publike, do të mbizotërohet nga qasja kaotike dhe turbulluese e Trumpit ndaj pjesës tjetër të botës. Engeli thotë se Trumpi i duket si praktikues i diplomacisë së ashtuquajtur “fluturo nga ulësja e pantallonave tu”, ndërsa qasja e tij e çrregullt ndaj politikës së jashtme ka dalë jashtë çdo llogaridhënieje gjatë dy vjetëve të kaluar të udhëheqjes së “vulës” republikane në “Capitol Hill”.
Ia kërkova një listë të çështjeve që do t’i hetojë. Ishte e gjatë, ndonëse më siguroi se kjo listë nuk është e plotë pasi zgjedhja e udhëheqësisë dhe anëtarëve të nënkomisionit nuk ka përfunduar ende. Pavarësisht kush e mban çekanin, është e qartë se hetimi do të fillojë me pyetjen se për çfarë saktësisht është pajtuar Trumpi në takimin e tij privat me presidentin rus, Vladimir Putin, verën e kaluar. “Kanë kaluar shumë muaj nga takimi i Helsinkit dhe ne ende nuk e dimë se për çfarë kanë biseduar Trumpi dhe Putini”, thotë Engel. Ai gjithashtu po kërkon që të hetohen interesat biznesore të Trumpit dhe ndikimi i marrëveshjeve financiare të Trumpit me Rusinë dhe Lindjen e Mesme në atë se çfarë ka bërë në politikën e jashtme. Ky do të jetë një ndryshim i madh për komisionin që zakonisht merret me politikë dhe jo me njerëz, prandaj Engelit do t’i duhet që t’i mbajë larg komisionet tjera që dëshirojnë të përfshihen në atë që Engeli e vlerëson si torfë të punëve të jashtme. Por hetimi i Trumpit, marrë parasysh prirjen e tij për t’i përzier interesat personale me interesat kombëtare, tashmë duket i pashmangshëm nga shqetësimet e politikës së jashtme, për atë se a do qartësohet lëvizja vështirë e matshme e Trumpit në përkrahje të Rusisë apo zbulimit të së vërtetës për marrëveshjet tregtare të familjes së tij me figurat e Lindjes së Mesme të cilat janë gjithashtu jetike për prioritetet gjeopolitike të Trumpit. “Është në detyrën tonë ta hulumtojmë këtë çështje”, thotë Engel.
Më tutje, në listën e prioriteteve të Komisionit për Punë të Jashme janë të përfshira Koreja Veriore dhe “rënia në dashuri” e Trumpit me diktatorin e saj, Kim Jong Un, vrasja e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, dhe lidhjet e ngushta familjare me princin saudit, ndihmësit e të cilit besohet se e kanë kryer vrasjen dhe vërtitjet e egra të politikës së Trumpit ndaj luftës së gjatë civile në Siri, ku vendimi i papritur i Trumpit për tërheqje të menjëhershme të dy mijë trupave amerikane e solli dorëheqjen e Sekretarit të Mbrojtjes, James Mattis.
“Është hera e parë në historinë amerikane që një sekretar i mbrojtjes jep dorëheqje në shenjë proteste”, ma sjellë ndër mend Engel. Sërish, edhe pas dorëheqjes së Mattisit, Trumpi dhe Administrata e tij kanë filluar të pretendojnë se urdhi për tërheqje të ngutshme të trupave nuk ka ekzistuar fare. “Lajm i rremë. Nuk ka kundërthënie”, tha para gazetarëve Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, gjatë një udhëtimi në Lindje të Mesme për t’i qetësuar aleatët që u befasuan nga largimi i Matissit dhe paqartësia e strategjisë amerikane në këtë rajon.
Cirku i Uashingtonit, veçanërisht në këtë moment, është i konsumueshëm nga të gjithë dhe me prirje për të qenë i brendshëm, njëkohësisht. Mund të jetë shumë e lehtë të harrohet ndikimi i madh i pengesave të epokës së Trumpit në pjesën tjetër të botës. Përderisa bisedoja me Engelin të mërkurën, qeveria amerikane kishte hyrë në ditën e tetëmbëdhjetë të mbylljes së pjesshme, ndërsa Trumpi dhe Dhoma e Përfaqësuesve ndodhej në bllokadë për shkak të financimit të murit përgjatë kufirit me Meksikën. Intervista u bë një ditë pas paraqitjes së Trumpit në ekranet televizive për krizën dhe disa orë para se Trumpi të dilte nga një takim me demokratët në Shtëpinë e Bardhë, të cilin e kishte organizuar për t’i dhënë fund mbylljes së qeverisë.
Qindra mijëra punëtorëve të qeverisë u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi ose janë duke punuar pa paga. Rrugët përreth ndërtesës së Kongresit janë befasisht boshe dhe një vozitje me taksi drejt Kongresit, e cila zakonisht zgjaste gjysmë ore, tash është reduktuar në vetëm disa minuta. Burokracia e Departamentit të Shtetit është gjithashtu e mbyllur. Sipas gazetës “Ëashington Post”, inspektorët, zyrtarët ligjorë të Departamentit të Drejtësisë dhe punëtorët e Rojes Bregdetare janë këshilluar që si zgjidhje të fundit ta shfrytëzojnë shitjen e gjërave të vjetra dhe ta kenë parasysh edhe bankrotimin. Në mungesë të negociatave serioze dhe nën kërcënimin e Trumpit për shpalljen e emergjencës kombëtare dhe ndërtimit të murit, udhëheqësit e kombit më të fuqishëm në botë diskutuan për atë se a e ka goditur Trumpi tavolinën para se ta braktiste takimin me demokratët apo thjesht është dukur i kënaqur dhe ka ngritur duart lart, duke thënë “shihemi”. “Unë nuk e shpreh zemërimin e çastit”, shkroi të enjten Trumpi në Tëitter. Më vonë, ai u sqarua para gazetarëve, duke thënë se nuk e ka goditur tavolinën.
Bota, megjithatë, nuk e ka ndërprerë rrotullimin në boshtin e vet, ndërsa fuqia amerikane rrallë është dukur kaq e cenueshme, jofunksionale, kundërthënëse dhe tërësisht çorientuese sa tash. Brenga të tilla i kanë lodhur shumë aleatë të Amerikës nga fillimi i presidencës së Trumpit dhe tash ato janë bërë realitet me dorëheqjen e papritur të Mattisit, letra e ashpër e të cilit tërhoqi qartazi vërejtjen për dëmtimin e mundshëm të aleancave dhe pozitën e Amerikës në botë.
Gjatë pjesës më të madhe të dy vjetëve të kaluar, largimi i Mattisit nga Administrata e Trumpit nën kushte të tilla është vlerësuar edhe nga shumë republikanë si një llojë lëvizjeje që do ta nxisë një reagim destabilizues, një efekt që në mënyrë të pashmangshme do të kishte pasoja të ashpra politike për Trumpin. Pranverën e kaluar, pasi Trumpi e kishte shkarkuar Sekretarin e Shtetit dhe këshilltarin e dytë për siguri kombëtare, gjenerali i pensionuar, Barry MCCaffrey, i kishte thënë rrjetit televiziv “MSNBC” se largimi i figurës së respektuar të Sekretarit të Shtetit do ta pakësojë Administratën e Trumpit. “Kur mundoheni ta largoni Mattisin, edhe udhëheqësia e republikanëve do të thoshte ‘Tash jemi në telashe. Nuk besojmë se do të ndodh. Nëse ndodh, jemi në telashe”, kishte thënë McCaffrey.
Kjo ndodhi më 20 dhjetor të vitit të kaluar. Megjithatë, udhëheqësia republikane nuk e ka ngritur zërin kundër Trumpit. Zyrtarët për siguri kombëtare nuk u tërhoqën, ndonëse disa zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit kanë shkuar pas Mattisit. Shifrat e sondazheve të presidentit nuk janë shkatërruar dhe anëtarët republikanë të Kongresin i kufizuan kritikat e tyre për largimin e tij në disa paraqitje të buta në televizione dhe disa opinione në gazeta.
Kundërshtarët e Trumpit shpesh e kanë krahasuar nëpërkëmbjen e presidencës amerikane me tregimin e vjetër për bretkosën që kërcen në enën me ujë dhe kurrë nuk e kupton rrezikun e vdekjes përdersia uji nxehet ngadalë. Largimi i Mattisit do të duhej të shërbente si një shenjë paralajmëruese, por përgjigjja e heshtur për ikjen e tij na dëshmon se tashmë është tepër vonë. Bretkosa është zier.
Për Engelin dhe demokratët tjerë të sapozgjedhur në Dhomën e Përfaqësuesve, ky është momenti për ta dëshmuar se a mund të bëjnë diçka më shumë sesa ta shpallin rëndësinë e tyre. A do të arrijnë të gjitha hetimet dhe thirrjet për raportim më shumë sesa propagandë politike kundër presidentit? “Ne jemi mundësia e vetme e mbetur”, më tha një ditë demokrati i sapozgjedhur në Kongres, Tom Malinoëski, i cili ka qenë Ndihmës-sekretar i Shtetit gjatë mandatit të Obamas. Ai shpreson ta ketë një vend në Komisionin për Punë të Jashtme, të udhëhequr nga Eliot Engel. Malinoëski është shumë i sigurt për aftësinë e demokratëve për ta krijuar një “department aletarnativ të shtetit” për pjesën e mbetur të mandatit të Trumpit. Natyrisht, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve nuk mund ta hetojnë në mënyrën e tyre politikën e jashtme të Trumpit. Thirrjet e tyre për raportim nuk do ta pakësojnë kaosin dhe as nuk do të ofrojnë koherencë për zigzaget e preferencave të presidentit. Sidoqoftë, dokumentet, dëshmitarët dhe marrja në pyetje të paktën mund të na ndihmojnë që ta sqarojmë situatën.
Susan B. Glasser është kolumniste në gazetën “The New Yorker”, ku shkruan kolumne javore për jetën nën pushtetin e Trumpit. Këtë shkrim e sjell gazeta express për editim të përkthyer në gjuhën shqipe .