Krerёt e shtetit me urime tё pёrzemёrta pёr Krishtlindje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në pritjen solemne me rastin e Festës së Krishtlindjes, e cila u mbajt në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, të organizuar nga Ipeshkvia e Kosovёs – Prizren-Prishtinë.

Me këtë rast, kryeministri ka shprehur urimet më të përzemërta për të gjithë besimtarët e besimit katolik, duke i uruar në këtë ditë të shenjtë për ta, duke thënë se tek shqiptarët ndër shekuj është kultivuar tradita dhe harmonia fetare si vlerë humane dhe civilizuese.

Në këtë pritje, i pranishëm ishte edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili tha se në këtë natë të shenjtë të Kërshëndellave, “uroj besimtarët e krishterë që këtë festë të madhe ta kalojnë në atmosferë hareje, me gëzime dhe begati në familjet e tyre”.

“Kërshëndellat janë festë e jetës, paqes dhe dashurisë mes njerëzve, prandaj t’u gëzohemi të mirave dhe begative që na sjellë jeta. Në këtë kremte të madhe, që bashkon familjet tona, shprehim solidaritetin dhe kujdesin për të gjithë njerëzit në nevojë dhe nderojmë të gjithë ata që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e popullit tonë” ka thёnё Thaçi.

Në prag të Krishtlindjes, edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, të cilës i ka dhuruar një skulpturë të Pjetër Bogdanit, vepër e punuar me mjeshtëri nga artisti ynë Ylber Krasniqi.

“Ne ndihemi krenarë teksa kujtojmë që edhe në kohët më të vështira, Kosova pati dijetarë e mendimtarë të nivelit evropianë, siç ishte Pjetër Bogdani, simbol i aspiratës evropiane të kombit tonë. Në këtë natë të shenjtë, të gjithë të krishterëve të Kosovës, katolikë e protestantë, ua uroj Krishtlindjen, festën e madhe të shpresës, humanizmit dhe dashurisë njerëzore”, ka thënë Veseli. /©Kabllogrami/

 

Comments (0)
Add Comment