Kryetari i nderit i Odës Ekonomike Gjermane Remzi Ejupi në Kosovë ka thënë se Kosova po humb qindra miliona euro nga bllokada ajrore që Serbia po vazhdon t’ia bëjë Kosovës. Sipas tij, për çdo fluturim drejt Kosovës dhe anasjelltas kompanitë humbin rreth 7 mijë euro pasi që detyrohen t’i shmangen hapësirës ajrore të Serbisë, shkruan gazeta “Zëri”, pёrcjell Kabllogrami.
Remzi Ejupi, kryetar i nderit i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, ka thënë se Kosova po humb qindra miliona euro nga bllokada ajrore që Serbia po vazhdon t’ia bëjë Kosovës.
Ejupi në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se shuma e mjeteve që kanë humbur, por edhe dëmi nga bllokada prej dy dekadash është shumë e madhe. Madje ai ka thёnё se për këtë çështje, së paku deri më tash nuk është diskutuar seriozisht nga autoritetet vendore, respektivisht nga ana e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës. Humbjet janë shumë të mëdha në aspektin material, ashtu edhe në aspektin kohor.
Tutje, biznesmeni Ejupi gjatë intervistës për gazetën “Zëri” ka folur edhe rreth vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100% për produktet e Serbisë, si dhe ato të Bosnjë e Hercegovinës. Ejupi, ndёr tё tjera ka thёnё, se një vendim i tillë është shumë i mirëpritur, pasi që më në fund ndal agresionin e prodhimeve serbe ndaj atyre kosovare që nuk kanë mundur të zhvillohen.Zёri. /©kabllogrami/