Kultivuesi i kulturës dhe folklorit popullor, Salih Zogiani përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook ka risjellë një ‘mesele popullore’ për siҫ thotë edhe vet, aktualitetin e saj në prag të zgjedhjeve, bën të ditur Kabllogrami.
Poenta e kësaj anekdote popullore riaktualizohet tash në prag të zgjedhjeve, e që jep porosinë që liderët e vjetër duhet t’ia lëshojnë vendin të rinjëve pasi që kanë më shumë energji, elan e vullnet për t’i përmirësuar dhe për t’i ҫuar gjërat përpara.
Në vijim mund ta lexoni të plotë këtë anekdotë impresive:
“Anton Çetta kishte shkuar te kryetari i sindikatës. Duke biseduar, Antoni donte t’ia bënte me dije se duhej ta lëshonte karrigën, e i thotë:
– E kish pasë njani ni knues per qejfi, e i thotë grues: – mos e prej knusin plak, se po knon mirë.
Një ditë u vjen një mysafir. Gruaja del për ta zënë një knues për ta prerë, po mbasi nuk mundi t’i zinte knojsit e rinj, e zuri atë knusin plak dhe e preu, po s’i tregoi burrit.
Të nesërmen, kur i ndjeu burri që po këndojnë knojsit e rinj, e thirri gruan e po i thotë:
– Çka u ba që sot nuk knoi knusi plak, po t’rijtë?
– Knusin plak e kam pre pramë, se nuk mujsha me i zanë ata t’rijtë, – i tha gruaja me frikë.
– Nejse, i tha burri, se kta knojsit e rij po knojkan edhe ma mirë se ai plaki, po s’paskan mujt me knu prej tij.
(Anekdotë aktuale, në prag të zgjedhjeve. Kush është Bektesh e merr vesh, se jemi lodhë me knojsit pleq,S.Z.)”, ka shkruar Salih Zogiani në fund të postimit të tij. /©Kabllogrami/