Presidenti Hashim Thaçi në një nga përgjimet në aferën “Pronto” me bashkëbiseduesin e tij e pati thënë një fjali që tingëllonte diҫka kështu: “Lujna k*qe me amerikanë”. Se Hashim Thaҫit i pëlqejnë lojërat e tilla, këtë askush më se vë në dyshim duke e njohur dhe pasur aq gjatë në majat e pushtetit.
Ndërsa, gjendja e krijuar pas dorëheqjes së parevokueshme të kryeministrit Haradinaj dhe situata në të cilën sytë janë drejtuar kah HTH, pra që qëlloi që zhvillimet e ardhshme të “varen” nga veprimet /mosveprimet/ e Hashim Thaҫit në cilësinë e presidentit të Kosovës, duket se kjo gjendje tamam është krijuar për HTH për të luajtuar siҫ ka qejf ai me popull dhe subjekte tjera politike rreth mbajtjes apo mosmbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, përfshirë lojën e kalkulimet me data se kur një gjë e tillë mund të ndodhte.
Presidenti Hashim Thaçi ditën e djeshme nuk ka bërë asnjë lëvizje për t’i konsultuar partitë politike dhe koalicionin fitues, nëse do të propozojnë mandatar tjetër pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Edhe pse Kushtetuta saktëson veprimet që duhet t’i ndërmarrë shefi i shtetit, nuk ka një afat kohor se deri kur ai mund t’i zhvillojë konsultat. Këtë vakum ligjor të mungesës së afatit kohor të përcaktuar saktë, Hashim Thaҫi do ta shfrytëzojë në maksimum, do ta shtrydh si limon, bash si të dojë ai vet, që nga situata e krijuar të nxjerrë maksimumin për interesa vetiake apo të një grupi të vogël interesi pjesë e të cilit është HTH.
Njohës të Kushtetutës thonë se situata është e rëndë pasi boshllëku kushtetues lejon mundësi abuzimi të pafund, derisa opozita ka paralajmëruar veprime të tjera (pa saktësuar ҫfarë) nëse presidenti nuk i cakton zgjedhjet.
Derisa Kushtetuta thotë /neni 95.5/: “Nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, pra nuk përmend afat kohor të përcaktuar se sa do mund të zgjasnin konsultat e tilla.
Se si do rrjedhin ngjarjet mbetet të shihet në ditët në vijim, me shpresën që nuk do të shohim ashpërsim të diskursit politik dhe radikalizim të veprimeve, veҫmas nga subjektet opozitare të provokuara nga veprimet/mosveprimet e HTH, pasi që një gjendje e tillë në momentumin që po jetojmë më së paku i duhet Kosovës dhe popullit të saj. /©Kabllogrami/