Kishin ardhur për pushime në Kosovë: Mërgimtari 61 vjeçar vret gruan e tij rreth 20 vjet më të re në Prizren

Ka pak ditë që nga Zvicra kishin ardhur për pushime në Kosovë. B.V. 61-vjecar dhe  gruaja e tij tashmë e ndjerë A.V. e cila ishte rreth 20 vite më e re se dorasi. Por problemet e çiftit bënë që 61-vjecari të enjten në mbrëmje t’i marrë jetën me armë zjarri gruas së tij 42-vjecare vetëm pak metra larg shtëpisë së tyre në lagjen ‘Hysni Morina’ të Prizrenit. E gjithë ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth mesnatës.

Sipas njoftimit të Policisë rasti ka ndodhur të martën pas orës 23:00 në rrugën  ‘Hysni Morina’ në Prizren, ku fillimisht është raportuar për plagosje e më pas mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës femër.

Njësitë e hetimeve dhe krim teknika në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimën si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Me vendim të prokurorit është bastisur shtëpia e personit të dyshuar dhe policia ka arritur të gjejë armën e tipit revole ZIG M1, të kalibrit 9 mm si dhe 42 fishekë të kësaj armë.

Dyshohet se me të njëjtën armë i dyshimti ka kryer veprën penale të ‘vrasjes së rëndë’.

“Njoftohet se i dyshimti dhe viktima kanë qenë bashkëshortë. Në këtë rast është ndaluar në afat prej 48 orë personi i dyshimtë B.V i lindur në vitin 1958”, thuhet në njoftim.

Me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për procedura të mëtutjeshme hetimore, ndërkaq me rastin po merren njësitë e hetimeve rajonale në Prizren. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment