Kirurgët në grevë: Anulohen nga 200 operacione në ditë

Rreth 200 operacione në ditë, aq sa kryhen brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë duke u anuluar për shkak të grevës së mjekëve kirurgë, që po zgjatë tash e tre javë, raporton ReL, përcjell Kabllogrami.

Greva në shëndetësi ishte organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë më 26 dhjetor dhe kishte zgjatur 72 orë. Më pas kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla pas takimit me zyrtarë qeveritarë kishte hapur rrugën për dialog social, duke urdhëruar që greva të ndërpritet.

Megjithëkëtë, mjekët kirurgë ishin ata që kishin vendosur ta vazhdojnë grevën. Kërkesa e tyre është rritja e pagës përmes miratimit të Projektligjit për pagat, i cili aktualisht është në procedurë të miratimit.

Arbër Morina, kirurg, i tha Radios Evropa e Lirë se kolegjiumi profesional i kirurgëve ka vendosur që greva të mos ndërpritet. Sipas tij, grevës tashmë i janë bashkuar 157 kirurgë nga gjithë Kosova.

Ndër të tjera, Morina tha se ndonëse është marrë vendimi për ndërprerjen e grevës nga ana e Sindikatës së Shëndetësisë, një gjë e tillë nuk është respektuar nga këta të fundit, pasi që siç thotë ai, kjo sindikatë asnjëherë nuk i ka përfaqësuar denjësisht kirurgët.

“Arsyeja pse kolegjiumet profesionale të kirurgëve jemi në grevë është se Sindikata asnjëherë nuk na ka përfaqësuar denjësisht apo më saktë, asnjëherë nuk e ka çuar deri në fund kërkesën e profesionistëve shëndetësorë, andaj edhe shëndetësia është në gjendjen që është”.

“Ne jemi kolegjium profesional i pa politizuar, pa ngjyrime politike dhe jemi grupi më i madh i intelektualëve të Kosovës. Jemi 157 kirurgë terciarë dhe nuk jemi grup i vogël, dhe nëse quhemi grup i vogël, është për të ardhur keq”, tha Morina.ReL /©Kabllogrami/

Më shumë lexoni në: radioevropaelire.

Comments (0)
Add Comment