KFOR’i i përgjigjet dokrrave të Daçiqit për ndërhyrje ushtarake në Veri të shtetit të Kosovës

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, teksa ka komentuar deklarimet e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, për një intervenim ushtarak të Serbisë në veri të Kosovës, ka thënë se aktualisht nuk ka asnjë shenjë se diçka e tillë mund të ndodh.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Grasso ka thënë se janë në kontakt me të gjitha institucionet e sigurisë në të dy vendet, me qëllim të parandalimit të ndonjë të papriture që mund të dëmtojë Kosovën dhe Serbinë.

“Sipas situatës aktuale nuk ka asnjë shenjë se ngjarje të tilla të tmerrshme mund të ndodhin. KFOR-i mban marrëdhënie të vazhdueshme dhe të mira me të gjithë akterët e sigurisë në Kosovës, si dhe me Forcat e Armatosura Serbe, me qëllim të parandalimit të ndonjë veprimi të papritur që mund të jetë i dëmshëm edhe për Kosovën edhe për Serbinë”, ka thënë Grasso në një prononcim për gazetën express.

I pyetur nëse KFOR-i dhe NATO-ja janë të shqetësuar lidhur me këto deklarata, Grasso thotë se e vetmja arsye aktuale për shqetësim janë deklarimet që po përdoren.

“Nuk kemi ndonjë indikacion apo arsye për t’u shqetësuar. Shqetësimi i vetëm është për shkak të retorikës që po përdoret, sepse krijon një mjedis ku një incident i izoluar mund të përshkallëzohet”, ka thënë ai.

Grasso u ka bërë thirrje të gjithë atyre që mbajnë përgjegjësi për deklarata publike dhe të gjithë mediave, që të jenë të kujdesshëm dhe të mos shkaktojnë pasoja të rënda me fjalët e tyre.

Ai ka treguar se janë duke e monitoruar rregullisht situatën në të gjithë territorin e Kosovës.

Në fund ai ka bërë thirrje për të gjithë institucionet e sigurisë  që të përmbahen nga deklaratat që krijojnë tensione të panevojshme dhe shqetësime të pabaza në mesin e qytetarëve.

Express lidhur me këtë çështje ka kontaktuar sot edhe ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Zëvendësministri Burim Ramdani, ka thënë se do të koordinohet me KFOR-in për çfarëdo rrethane që do të krijohet.

Ndërsa deklaratat e Daçiqit, i ka cilësuar si luftë speciale, e cila është bërë edhe gjatë viteve të 90-ta.

Ndërkohë ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se këto kërcënime të politikanëve serb për ndërhyrje në veri, tregojnë se sa larg dialogut janë Kosova dhe Serbia. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment