John Simpson nga BBC: “Serbia e sotme nuk dallon me Serbinë e para 20 vjetëve”

Gazetari dhe reporteri i BBC-së, John Simpson, i cili kishte raportuar nga Beogradi, gjatë sulmeve ajrore të NATO-s ndaj objektivave ushtarake e policore të Serbisë, në vitin 1999, ka thënë se, politkisht, Serbia nuk dallon shumë nga Serbia e para 20 vjetëve.

“Sot, 20 vjet pas bombardimit nga NATO, për fat të keq, Serbia gjason me Serbinë e atëhershme”, ka thënë Simpson, duke krahasuar Serbinë e sotme me Serbinë e para 20 vjetëve.

Simpson ka thënë se Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili asokohe ishte ministër për informata në qeverinë e Slobodan Millosheviqit, i kujtohet për deklaratat e tij luftënxitëse.

“Gazetarët e Perëndimit atëherë e konsideronin Aleksandar Vuçiqin si kërcënim real”, ka treguar Simpson.

“Pak para bombardimeve, pas Masakrës në Srebrenicë (Bosnjë e Hercegovinë) kur ishin vrarë 8 mijë të rinj dhe burra muslimanë, Vuçiqi kishte premtuar në Kuvend se për çdo serb të vrarë do të vriteshin 100 muslimanë”, ka kujtuar ai, transmeton Televizioni N1.

“Ai (Vuçiqi) më vonë është ankuar se deklarata e tij ishte nxjerrë nga konteksti, por është vështirë të mendohet se nga cili kontekst ka mundur të nxirret ajo”, ka shtuar Simpson.

Sipas tij, Vuçiqi i sotëm nuk dallon shumë nga Vuçiqi i atëhershëm.

“Vuçiqi i ka ndryshuar qëndrimet e tij, ka filluar të avokojë për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe, në fund, është bërë president. Por, në esencë, nuk ka dallime të mëdha midis Vuçiqit ‘të vjetër’ dhe Vuçiqit ‘të ri’”, është shprehur Simpson.

“Politikisht ai nuk ka ndryshuar shumë”, ka theksuar ai.

Reporteri i njohur i servisit publik të Britanisë BBC, ka thënë se ‘Westminster Foundation for Democracy’ vlerëson se Serbinë e Vuçiqit e karakterizon presioni ndaj medieve dhe vendosja e kontrollit mbi to, si edhe standardet politike larg normave demokratike.

“Qeveria (e Serbisë) gjithnjë e më shumë po i merr (nën kontroll) mediet dhe tani ekziston vetëm një kanal i pavarur i lajmeve, Televizioni N1, i cili është i lidhur me CNN-in”, ka thënë reporteri i BBC-së, John Simpson, me rastin e 20 vjetorit të sulmeve ajrore të NATO-s ndaj Serbisë. Illyriapress /©Kabllogrami/

 

Comments (0)
Add Comment