John Grogan: Jam i kënaqur që më në fund Presidenti i Kosovës tha se këmbimi i territoreve nuk do të ndodhë kurrë

Dhoma e Përfaqësuesve e Parlamentit britanik ka zhvilluar të martën në Londër një debat të madh  për marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me Kosovën, ku spikat vendosmëria e britanikëve kundër idesë për ndryshim të kufijve të Kosovës.

Ministri britanik për Evropë, Sir Alan Duncan, ka folur kundër prekjes së kufijve në kuadër të një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë.

“Arritja e marrëveshjes e bazuar në ndryshimin e kufijve, rrezikon stabilitetin në Kosovë-Serbi dhe rrezikon të vendos një precedent që mund të shfrytëzohet nga palët e treta në rajon dhe më tej”, ka thënë Duncan, ndër të tjera.

Pos tij, në këtë debat është përfshirë edhe deputeti laburist, John Grogan, i cili edhe e drejtoi atë.

Grogan ka thënë se për çështjen e ndryshimit apo korrigjimit të kufijve janë shpenzuar shumë para në Londër dhe kryeqendra tjera.

“Jam i kënaqur që javën e kaluar Presidenti i Kosovës (Hashim Thaçi) tha se këmbimi i territoreve nuk do të ndodhë kurrë. Para një viti ai fliste për korrigjim kufijsh me Serbinë, por kjo ishte qasje e gabuar. Janë shpenzuar para bukur të mëdha për lobim në Londër dhe gjetiu për këtë çështje, por jam i kënaqur që Presidenti e ka ndërruar qasjen. Kryeministri dhe Parlamenti (i Kosovës) me të drejtë kundërshtonin këmbimet territoriale, korrigjimet e kufijve apo çfarëdo të quhen ato. Këto mund të jenë shumë destabilizuese në Ballkan”, ka deklaruar ai.

Edhe Dhoma e Lordëve (dhoma e lartë) e Parlamentit britanik ka debatuar për Kosovën në fillim të këtij viti.

Më 11 janar 2019, duke folur në këtë debat, Ministri i Shtetit për Komonuelthin dhe Kombet e Bashkuara, Lordi Ahmad i Uimbëldonit, siguroi lordët britanikë se “Qeveria e Lartmadhërisë së Saj nuk e mbështet rivizatimin e kufijve në vija etnike, dhe se këtë ua kemi bërë të qartë të dyja palëve (Kosovës dhe Serbisë)”. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment