Lideri i Nismës Social-Demokrate dhe Ish-kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka komentuar thirrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shfuqizimin e taksës ndaj produkteve të Serbisë. Krasniqi ka thënë se ShBA-ja duhet t’i kuptojë drejt reagimet e Kosovës në raport me Serbinë, pasi që këto veprime që më në fund po i ndërmerr Kosova janë veprime të imponuara nga ana e vet Serbisë, e cila me destruktivitetin e vet po përpiqet ta mbeshtet Kosovën për ‘muri’.
Ai ka thënë se Kosova nuk ka bërë asnjë veprim të vetëm për t’i prishur raportet me ShBA-në. Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”. Sipas Krasniqit, taksa 100% është reagimi më i butë i mundur i Qeverisë së Kosovës. Ai ka theksuar se Kosova duhet të vendosë edhe kushte të reja për Serbinë.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ka folur edhe për fazën finale të dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se mosekzistimi i konsensusit kombëtar për këtë fazë të dialogut është përgjegjësi e politikës sonë. Krasniqi ka vlerësuar se në këtë fazë Kosova nuk ka çfarë t’i japë Serbisë.
“Kosova gjatë gjithë këtyre viteve ishte e gatshme për ta përmbyllur dialogun, por kjo as është varur e as nuk varet nga Kosova. Kosova nuk ka çfarë t’i japë më Serbisë, bile ka dhënë shumë deri më tani. Kosova duhet të mendojë për zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë, për drejtësinë dhe sigurinë kombëtare etj”, ka thënë Krasniqi.
Më tej, ai ka bërë me dije se Kosovës nuk duhet t’i ngutet për këtë fazë të dialogut. Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi do të duhej t’i ngutej Serbisë e jo Kosovës. /©Kabllogrami/