Përmes një postimi të dytë ka reaguar përsëri Isa Mustafa, tash thotë se LDK-ja nuk do t’i bashkohet ekipit dialogues.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, sot më herët gjatë ditës kishte bёrё njё postim nё rrjetin social Facebook ku shprehej pёr nevojёn e unitetit të spektrit politik kundër tendencave të Serbisë, dhe ftonte pozitën edhe opozitën që të bëhen bashkë kundër tendencave për territor ndaj Kosovës të shtetit serb. Por s’ka vonuar shumё dhe ka reaguar me një qëndrim të dytë duke bërë të qartë se kjo parti nuk do t’i bashkohet ekipit dialogues, raporton Kabllogrami.
Referuar postimit tё parё, pёr shumё kёnd la tё kuptohet se Isa Mustafa po jep sinjalet e para që partia e tij, LDK-ja do t’i bashkëngjitet ekipit dialogues.
Aty ndёr tё tjera shprehej se:
“Edhe tani, kur po ballafaqohemi me tendencat e Serbisë për të shkallmuar një pjesë të territorit të Kosovës dhe për ta bërë jofunksional shtetin tonë të ri, kemi nevojë të veprojmë bashkërisht për ta mbrojtur atë çfarë të gjithë ne e kemi ndërtuar”.
“Në këtë situatë është pak e rëndësishme se kush është pozitë e kush opozitë, sa është e rëndësishme se pa pozitën dhe pa opozitën e mirëfilltë nuk ka zgjidhje të çështjeve me interes shtetëror dhe nacional. Dhe, po ashtu se pa dy krahët, atë të trashëgimisë së rezistencës së Ibrahim Rugovës dhe atë të dalë nga UÇK, nuk mund të përballohet përmbyllja e marrëveshjes me Serbinë”.
Nuk ka vonuar shumё dhe ka reaguar pёrmes njё postimi tё dytё. Në postimin e tij të dytë, Mustafa thotë se qëndrimet e LDK-së, lidhur me këtë çështje janë të qarta.
“Pikëpamjet e mia për unitet karshi Serbisë, të shprehura në postimin paraprak, nuk përfaqësojnë pikëpamje se do t’i bashkohemi apo bashkëngjitemi asnjë ekipi në dialog por se do ti mbrojmë interesat e vendit si opozitë dhe si parti e cila përfaqëson një trashëgimi të veçantë historike. Qëndrimet e LDK-së janë të qarta”, ka shkruar Mustafa. /©Kabllogrami/