Në këte interviste, të parën që nga largimi i tij, Ministri Ditmir Bushati në mënyrë elegante ka bërë vërejtjet e tij në mënyrën se si po zhvillohet dialogu me Serbinë. Shumëkush mendon që Bushati u shkarkua saktësisht për shkak të kësaj teme.
-Zoti Bushati, një pyetje e pashmangshme: Duke qenë se në krye të Ministrisë së Jashtme (dhe Europës) keni qenë ministri më jetëgjatë i viteve të demokracisë, keni ndërtuar një profil solid dhe aq më tepër, axhenda dhe veprimtaria diplomatike është disi e shkëputur nga zhvillimet e brendshme politike… a e prisnit largimin?
Bushati: Detyra e Ministrit të Jashtëm, siç ju e thatë, imponon një lloj largësie “higjienike” nga zhvillimet e politikës së brendshme, për të krijuar një shtrat sa më mirëkuptues e konsensual, në funksion të jetësimit të prioriteteve të politkës së jashtme dhe përmbushjes së objektivave kombëtare.
Ka vende të cilat kanë demonstruar në vijimësi një periudhë më të qëndrueshme sa i takon drejtimit të politikës së jashtme; sikundër ka dhe praktika me lëvizje të shpeshta në krye të shërbimit të jashtëm. Por në politikë, të dyja opsionet janë të njohura.
-Pas takimit me homologun italian Moavero, ju pohuat tekstualisht se “kryeministri ka vendosur të ndryshojë drejtimin politik të ministrisë”. Fraza u kuptua edhe si një ndryshim në politikën e deritanishme të diplomacisë sonë; apo perceptim i gabuar?
Bushati: I jam referuar pikërisht faktit që kryeministri ka vendosur të jetë vetë përkohësisht, edhe ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, që do të thotë edhe ndryshim i udhëheqjes politike të ministrisë. Siç e ka sqaruar kryeministri, dhe siç është përgjithësisht praktika e vendeve të tjera, kjo nuk do të thotë se do të ketë ndonjë ndryshim të prioriteteve në politikën e jashtme. Është shumë e vështirë për të pasur ndryshime të prioriteteve; mund të ketë nuancime në momente të caktuara, por dihet se një pjesë e prioriteteve që ndiqen në vijimësi nga shërbimi i jashtëm, janë prioritete strategjike për të cilat, të gjitha forcat politike dhe aktorët shoqërorë janë në një mendje.
-Qartë. Meqë folëm për nuancime, kam një parantezë: Qëndrimi juaj i shprehur lidhur me çështjen e dialogut Serbi-Kosovë, e më konkretisht mbi idenë e ndryshimit të kufijve, ka qenë i qartë kundër këtij opsioni, dhe e keni arsyetuar përse. Ndërkohë kryeministri ka qenë më elastik në formulim, duke ua lënë marrëveshjen dy palëve të interesuara, të cilat mjafton të bien 100% dakord dhe Shqipëria do të ishte e kënaqur për ta mbështetur. A mund të presim, pikërisht në kuadër të këtyre “nuancimeve”, një modifikim të qëndrimit të Shqipërisë mbi këtë çështje?
Bushati: Është një çështje mjaft delikate dhe për pasojë, kërkon një rrahje mendimi sa më shterues dhe gjithëpërfshirës. Në rradhë të parë, nevojitet bërja e një inventari të arritjeve dhe dështimeve të procesit të dialogut Serbi-Kosovë, për t’i krijuar mundësi opinionit publik dhe politikëbërësve të kuptojnë se sa realisht janë normalizuar sot marrëdhëniet mes dy vendeve.
Në gjykimin tim, ka pasur hapa pozitivë përpara, sikundër ka patur raste kur dialogu ka ngecur, apo angazhimet e marra në letër nuk kanë sjellë efektet e pritshme në praktikë.
Së dyti, është e rëndësishme të kuptojmë se thelbi i gjithë procesit ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Kam vënë re, sidomos gjatë vitit të kaluar, një intensifikim të përpjekjeve për ta trajtuar këtë proces vetëm nga prizmi i njohjes së mundshme të Kosovës nga ana e Serbisë; a thua se kemi të bëjmë me një suksedim të Kosovës nga Serbia. Besoj se nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, shpallja e pavarësisë së Kosovës, vendimmarrja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, – që është gardiani, autoriteti numër Një i intepretimit të së drejtës ndërkombëtare – janë përgjigja më e mirë për këdo që tenton ta shohë këtë çështje thjesht dhe vetëm nga prizmi i njohjes eventuale të Kosovës nga ana e Serbisë.
Po kështu, dua të them që normalizimi është një proces i dyanshëm, i nevojshëm./Albanian Daily News