Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll U-21 ka humbur në hapje të botërorit që të martën (mbrëmë) nisi në Spanjë. Kjo është ngjarja më e madhe sportive që nga pranimi ndërkombëtar, në të cilën po merr pjesë reprezentacioni i Kosovës në Hendboll, pavarësisht grupmoshave.
Në ndeshjen e parë të Grupit C, Kosova pësoi humbje nga Kroacia e favorizuar me rezultatin 23:17. Trajneri i ekipit U21, Fatmir Muhaxheri, para nisjes për Spanjë kishte deklaruar se “Kosova ka 95 për qind gjasa për të fituar ndaj Kroacisë”. Por të martën, për fatin e tij të keq dhe të Kosovës, fitoi Kroacia dhe “5-përqindëshi”, shkruan sot Koha Ditore.
Juniorët e Kosovës, gjithsesi në pjesën më të madhe të lojës rivalizuan kundërshtarët kroatë, sidomos në pjesëlojën e parë, e cila u mbyll 14:11. Gjatë kësaj periudhe, rezultati ishte i ngushtë dhe asnjëherë nuk shkoi më shumë se tri gola në favor të kroatëve. Në pjesën e dytë, Kroacia filloi gradualisht të shkëputet dhe në fund arriti ta fitojë ndeshjen me epërsi prej gjashtë golave.
Te Kosova, më efikasi në këtë përballje ishte kapiteni Jon Muçolli, i cili mbylli ndeshjen me shtatë gola. Me lojë të mirë u veçua edhe Atdhe Basholli që realizoi tre gola. Drenit Tahirukaj e Albin Xhafolli ndeshjen e mbyllën me nga dy gola të shënuar. Te Kroacia, më i dalluari ishte Filip Vistorop me shtatë gola. /©Kabllogrami/